Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Gjuha e dyfishtë e pushtetit ndaj proceseve euro-atlantike

Gjuha e dyfishtë e pushtetit ndaj proceseve euro-atlantike

Shkruan: Afrim Kasolli

 Brenda pak jave Kosova kaloi nëpër dy procese të rëndësishme euro-atlantike. Fillimisht bëhet fjalë për dështimin për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës. Dhe sot miratimi nga Asambleja Parlamentare e NATO-së, e rekomandimit për avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar.

Në të dy këto procese, Serbia kishte lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës.  Mirëpo, në rastin e parë politika e saj sabotuese ndaj shtetit Kosovës, kishte pasur “sukses”, vetëm pasi Qeveria e Kosovës, kishte refuzuar ta përfillte kërkesën e vendeve të QUINT-it për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatë Kushtetuese, përkundër faktit se Asambleja Parlamentare e këtij institucioni i kishte rekomanduar Komitetit Ministror, pranimin e Kosovës në organizatën më të vjetër në kontinent në mbrojtje të të drejtave të njeriut.

Ndërkohë, ndaj këtij kushti nuk la pa reaguar i madh e i vogël nga pushteti.  Vetë kryeministri Kurti e quajti këtë kërkesë si shantazh mbi Kosovën. Presion. Madje, u shpreh se ka mbetur i befasuar nga pengesat që po i vendosen Kosovës nga vendet aleate. Diçka që nuk e ka pritur. Dhe se në fund nuk mund t’i nënshtrohet kushteve të tilla të padrejta.

Mirëpo, për dallim nga ky dështim,  avancimi sot i statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar, është përshkruar me një gjuhë tjetër politike.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, u shpreh se nga sot me këtë vendim “të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka statusin e anëtarit të asociuar të NATO-s. Pra nga tani, Kosova do të ketë të drejtë propozimi e komentimi të çdo procesi apo dokumenti që trajtohet nga Asambleja e NATO-s. Me këtë vendim Kosova është vetëm një hap larg anëtarësimit me të drejta të plota në asamblenë parlamentare të NATO, gjë që sigurisht se do të ndikoj në stabilitetin e Ballkanit”.

Kurse, presidentja Vjosa Osmani, ka pohuar se “ky vendim do të garantojë se do të dëgjohet zëri i popullit më pro-NATO në gjithë botën. Ne do t’i vazhdojmë përpjekjet tona, bashkë me aleatët, që të avancojmë në rrugën tonë drejt anëtarësimit në NATO”.

Entuziazmin dhe gëzimin për këtë vendim nuk la pa shprehur as kryeministri Kurti. Në rrjetin e tij social, ai ka shkruar se “në prag të 25-vjetorit të çlirimit, Sofja, kryeqyteti i shtetit që 25 vjet më parë hapi hapësirën e vet ajrore për aeroplanët e NATO-s në fushatën kundër Serbisë, sot ishte vendtakimi në të cilin bëmë një hap të rëndësishëm në integrimin euro-atlantik, përkundër fushatës së Serbisë.  Përgëzime të gjithë zyrtarëve të shtetit që punuan për këtë arritje, e shumë urime qytetarëve të Republikës. Falënderim dhe mirënjohje për të gjithë miqtë e partnerët që me votën e tyre sot i dhanë mbështetje avancimit të statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe që i qëndrojnë përkrah Kosovës përherë”.

Por, ajo që bie në sy në këtë rast është fakti se mungon gjuha qortuese dhe gati armiqësore e kryeministrit Kurti ndaj vendeve perëndimore, të cilat deri dje tentonin ta shantazhonin  Kosovën. Është iluzion të mendohet se edhe ky prag sado i vogël që mund të jetë, ka mundur të kalohet pa mbështetjen e të njëjtave shtete që jo më larg se para dy jave, ishin shndërruar në pengesë për avancimin  Kosovës në proceset euroatlnaitke.

E, pikërisht kjo gjuhë e dyfishtë nga kryeministri Kurti, por edhe zyrtarë tjerë të e këtij pushteti ndaj vendeve aleate, brenda një harku shumë të ngushtë kohor, tregon më mirë se asgjë tjetër, për shndërrimin edhe të politikës së jashtme në instrument të nevojave momentale dhe elektorale të pushtetit. Sepse është absurde të thuhet se vendet aleate e ndryshuan kaq shpejt qëndrimin e tyre deri dje armiqësor në miqësor ndaj Kosovës.

/TV Arbëria

Themes by WordPress