Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Gjuha e Donald Trumpit në trupin e Albin Kurtit

Gjuha e Donald Trumpit në trupin e Albin Kurtit

Shkruan: Afrim Kasolli 

Liderit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti i pëlqen te identifikohet me të majtën në aspektin politik dhe ideologjik. Madje edhe pas mandatimit nga presidentja Vjosa Osmani, si fitues i zgjedhjeve parlamentare, i njëjti më shumë kishte preferuar që të merrte pjesë në forumet e së majtës evropiane, sesa te angazhohej për sigurimin e numrave për votimin e Qeverisë. Mirëpo, nëse analizohet gjuha e tij politike ajo është shumë më afër se djathtës me vokacion populist se sa me partitë social demokrate të qendrës. Me këtë rast, shpeshherë të krijohet përshtypja se kemi te bëjmë me një retorikë të Donald Trumpit të inkarnuar në trupin politik të Albin Kurtit.

Kuptohet, ata kanë dallime ndërmjet vete, por këtu është fjala për ngjashmëritë sa i përket përdorimit të pushtetit për qëllime personale politike. Si Donald Trapmin ashtu edhe Albin Kurtin i ka veçuar  pasioni politik për t’i sulmuar institucionet kushtetuese dhe juridike duke i konsideruar ato si mjete konspirative kundër drejtësisë popullore. Mekanizma të interesave të erret të asaj që quhet si “deep state”.

Po ashtu, si njëri ashtu edhe tjetri, kanë vlerësuar se janë manifestim i vullnetit autentik demokratik popullor dhe nuk mund të ketë pengesa procedurale dhe ligjore, që do t’i kufizonte ata në përputhje me këtë mandat. Në fund të fundit, te dy e kanë vlerësuar vetën si misionar politikë për t’i shpëtuar shtetet tyre, dhe se ai që e “shpëton shtetin e tij nuk mund ta shkel ligjin” (He who saves his country does not violate any law?).

Është kjo qasje për të cilën, profesori i shkencave juridike në Universitetin Yale, Richard Painter, ka argumentuar se nuk kanë bazë në traditën konstitucionale demokratike. Për më shumë, sipas tij, opinioni se drejtuesi i shtetit është mishërim i drejtpërdrejt i vullnetit autentik popullor, ishte artikuluar nga juristi gjerman, me prirje fashiste, Carl Shmitt. Kurse në vendet demokratike, pushteti i Presidentit/Kryeministrit i takon dimensionit ekzekutiv, ligjet nxirren nga Kongresi(Kuvendi) dhe interpretohen nga gjykatat. Prandaj, të parët janë të obliguar te veprojnë në koherencë me këto norma.

Si tipar tjetër i përbashkët mund të merret edhe fakti se si njëri ashtu edhe tjetri në rrethana të caktuara ose e kanë inkurajuar dhunën, ose nuk e kanë dënuar në mënyrë të duhur atë dhe sulmet ndaj institucioneve demokratike. Është i njohur sulmi ndaj Capitoll Hill dhe skenat me gazlotsjellës në Kuvendin të Kosovës. E kur janë përballur me drejtësinë për pasojat e veprimeve të tyre ia kana dalur që ta fitojnë në sytë e opinionit publik aureolën e martireve dhe të persekutuarëve politikë nga kundërshtarët e tyre.

Megjithatë, ata i ka veçuar sot edhe një sjellje tjetër identike politike. Në hapje të fushatës zgjedhore për balotazh, Albin Kurti, ka kërcënuar se do t’i privojë nga buxheti i shtetit ata kryetarë të komunave që nuk i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje, sepse sipas tij të njëjtit nuk dinë të punojnë, por edhe vjedhin.  Shihet qartë se këtë mendësi tribale ai e ka huazuar nga gjuha e Doanld Trumpit, i cili ka kohë që është duke i kërcënuar qytetarët e New Yorkut, se nëse votojnë për kandidatin e Partisë Demokratike, që vetën e ka definuar si socialist demokrat, Zoran Mamdani, atëherë qyteti  tyre nuk do të ketë qasje në fondet federale.

Është interesante se si Donald Trumpi ashtu edhe Albin Kurti një pjesë të suksesit politik e gëzojnë për shkak të pakënaqësive shoqërore që janë shtresuar ndër vite se sistemi në fuqi është vënë në shërbim të elitave financiare dhe politike në dëm të qytetarëve të zakonshëm.  Mirëpo të njëjtit përfunduan duke u zotuar se do ta përdorin shtetin vetëm për fisin e tyre politik, sipas logjikës shteti jemi ne.