Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Gjermania vendos kontrolle të përkohshme në kufijtë tokësorë

Gjermania vendos kontrolle të përkohshme në kufijtë tokësorë

Ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser shpalli vendosjen e kontrolleve të përkohshme kufitare në të gjithë kufijtë tokësorë të Gjermanisë. Vendimi u mor për të kufizuar migrimin e parregullt dhe për të mbrojtur publikun nga ekstremizmi islamik.

Kontrollet do të fillojnë më 16 shtator dhe fillimisht do të zgjasin për gjashtë muaj.

Qeveria gjermane është konsultuar me partinë kryesore opozitare CDU për mënyrat për të frenuar migrimin përballë shqetësimit publik dhe pas një sulmi vdekjeprurës me thikë nga një azilkërkues sirian muajin e kaluar në qytetin e Solingenit.

Javën e kaluar, partia kundër imigracionit AfD fitoi zgjedhjet shtetërore në Turingi dhe doli e dyta në Saksoni.

Social Demokratët e zonjës Faeser përballen me zgjedhje shtetërore në Brandenburg pas dy javësh, ku partia qeveris në koalicion me të Gjelbërit dhe Demokristianet.

Gjermania ndan kufirin e saj tokësor prej më shumë se 3700 kilometrash me Danimarkën, Holandën, Belgjikën, Luksemburgun, Francën, Zvicrën, Austrinë, Republikën Çeke dhe Poloninë.

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Gerhard Karner, i tha gazetës gjermane ‘Bild’ të hënën se vendi i tij nuk do të pranonte asnjë emigrant të larguar nga Gjermania në kufi.

“Nuk ka vend për manovrim”, tha ai.

“Ekziston ligji për këtë. Unë e kam urdhëruar kreun e policisë federale që të mos lejojë asnjë kthim”, shtoi ai.

Gjermania do të punojë ngushtë me vendet fqinje në zbatimin e kontrolleve të përkohshme kufitare, tha të hënën Ministrja e Brendshme Nancy Faeser, duke shtuar se kjo do të mbajë ndikimin në rajonet ndërkufitare sa më të vogël të jetë e mundur.

“Është e rëndësishme për ne që të veprojmë në partneritet të ngushtë me fqinjët tanë dhe të minimizojmë ndikimin mbi udhëtarët dhe jetën e përditshme në rajonet kufitare”, tha zonja Faeser.

Gjermania vitin e kaluar njoftoi kontrolle më të rrepta në kufijtë e saj tokësorë me Poloninë, Çekinë dhe Zvicrën në përgjigje të një rritjeje të madhe të kërkesave për azil për herë të parë./VOA

Themes by WordPress