Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Gjermania rekomandon që Gaza duhet të kontrollohet nga Kombet e Bashkuara

Gjermania rekomandon që Gaza duhet të kontrollohet nga Kombet e Bashkuara

Gjermania ka dalur më një propozim që Kombet e Bashkuara ta marrin nën kontroll dhe nën administrim Gazën pas përfundimit të luftës. Kjo të paktën bëhet e ditur sipas një dokumenti konfidencial që i ka rënë në dorë mediumit të njohur Politico.

Sidoqoftë, që nga kjo koha e intervenimit me trupa tokësore nga ushtria e Izraelit dilema se kush duhet ta kontrollojë Gazën është njëra nga temat më shqetësuese diplomatike.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Izraeli do të ketë “përgjegjësi për sigurinë e përgjithshme” në Rripin e Gazës për një kohë të papërcaktuar pasi të ketë përfunduar lufta me Hamasin si dhe duke e mohuar kategorikisht mundësinë që kjo detyrë t’i besohet Autoritetit palestinez.

Ndërkohë, SHBA-të e kanë paralajmëruar Izraelin, se do të ishte një gabim i madh nga ana e tij mbajtja nën pushtim e Gazës. Po ashtu, edhe shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borell ka deklaruar se Izraeli nuk mund të qëndroj në Gaza, duke shtuar se BE-ja beson se një autoritet palestinez duhet ta marrë nën kontroll Gazën.

Ndërkohë, Berlini njëri nga mbështetësit kryesor të sigurisë së Izraelit, siç dëshmon ky dokument, sipas Politico-së, mbron qëllimin strategjik të Izraelit se kurrë më Hamasi nuk duhet lejuar të shkaktojë viktima në këtë shtet, mirëpo duke e saktësuar se ky qëllim nuk mund të arrihet vetëm me mjetë militare, pa proces politik, sepse agjendat dhe ideologjitë radikale nuk mund të luftohen vetëm më mjete ushtarake.

Në këtë kontekst, për Gjermaninë aktualisht janë disa opsione për të ardhmen e rripit të Gazës. Një është ripushtimi i nga Izraeli. Apo që ky territor të administrohet nga Egjipti, ose Autoriteti Palestinez. Mirëpo, realisht asnjëri nga këto vende nuk kanë shprehur interes për këtë punë.

Prandaj, administrimi nga Kombet e Bashkuar është një skenar më ideal. Ky opsion do të nënkuptonte internacionalizmin e Gazës, nën ombrellën e OKB-së dhe së bashku me partnerët rajonalë, për ta shtruar rrugën tranzitore drejt një vet-administrimi palestinez, i cili do të dilte nga një proces i rregullt i zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Por po ashtu, Berlini ka paralajmëruar se ky skenar do të nënkuptonte një investim të madh politik, diplomatik dhe financiar, ku partnerët ndërkombëtarë do të angazhoheshin së bashku me Kombet e Bashkuara për të menaxhuar çështjet e sigurisë.

/TV Arbëria

 

 

 

 

 

Powered by WordPress