Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Ekonomi > Gjermania mbështet dekarbonizmin e sektorit energjetik në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor

Gjermania mbështet dekarbonizmin e sektorit energjetik në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor

Këtë javë, filloi zbatimin projekti i ri i financuar nga Qeveria Gjermania me qëllim avancimin e mëtutjeshëm të Agjendës së Gjelbër me fokus në dekarbonizimin e sektorit të energjisë elektrike në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.

Në konferencën hapëse të mbajtur këtë javë në Budva, Mali i Zi, u mblodhën rreth 80 ekspertë dhe vendimmarrës nga sektori i energjisë elektrike për të diskutuar temat kryesore, duke shënuar një hap të rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin drejt një sektori energjie më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm.

Sektori energjetik i Kosovës u përfaqësua nga pjesëmarrës nga Ministria e Ekonomisë, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut KOSTT, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes KEDS/KESCO, të cilët ishin aktivë në diskutimet e organizuara ndërmjet ekspertësh.

Në këtë ngjarje u theksua tema e transformimit të sektorit energjetik, njoftimi i pjesëmarrësve me objektivat dhe qasjen e projektit, dhe nxitja e një mirëkuptimi ndërmjet pjesëmarrësve të sektorit të energjisë në Ballkanin Perëndimor në lidhje me sfidat e përbashkëta dhe zgjidhjet në tranzicionin energjetik.

Udhëheqësi i këtij projekti, Nicolas Heger, në fjalën e tij hapëse tha: “Kur njerëzit mendojnë për energjinë e gjelbër, të gjithëve u shkon mendja te turbinat e erës dhe kulmet solare. Pak prej tyre do t’i konsideronin si diçka të rëndësishme linjat e transmisionit, qendrat e kontrollit ose stacionet tansformative. Kjo do të jetë ajo çka ne dhe partnerët e këtij projekti do të mundohemi të ndryshojmë.”

Gjatë konferencës u bë prezantimi i teknologjisë më të fundit dhe zgjidhjeve për integrimin e rrjetit të energjisë së ripërtëritshme, nga ekspertë gjerman dhe ndërkombëtarë të sektorit energjetik.

Ivana Markoviç-Boskoviç, eksperte e lartë për Agjendën e Gjelbër në Këshillin për Bashkëpunimin Rajonal (RCC), theksoi se arritja e objektivave të Agjendës së Gjelbër në Ballkanin Perëndimor kërkon angazhim të vazhdueshëm për të rritur dhe diversifikuar pjesën e energjisë së ripërtëritshme. “Kjo po ashtu përfshin zbatimin e skemave të mbështetjes ekonomike të qëndrueshme dhe promovimin e vetëkonsumit të energjisë prej burimeve të ripërtëritshme”, ka përfunduar ajo.

Marcus Merkel, këshilltari i lartë në Bordin Menaxhues të kompanisë EWE NETZ GmBH – një operator gjerman inovativ i sistemit të shpërndarjes, theksoi rolin e sistemeve të shpërndarjes së energjisë për të mbështetur tranzicionin energjetik brenda BE-së dhe në nivel të shteteve anëtare. “Kjo është një sfidë e madhe, për shembull, më shumë se 70% e të gjitha kapaciteteve të reja të ripërtëritshme në BE27+Britania e Madhe, do të lidheshin me këto rrjete. Pra, operatorët e sistemit të shpërndarjes duhet të ndërtojnë shtylla betoni për elektrifikimin e mëtejshëm dhe të përfaqësojnë integruesit kryesorë të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.“

Kjo nismë trevjeçare është e përkushtuar për të nxitur një tranzicion energjetik të përqendruar në burimet e ripërtëritshme dhe integrimin e tyre të shpejtë në rrjetet e energjisë.

Projekti i Agjendës së Gjelbër mbështetet nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe zbatohet nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH.

/Arbëria TV

Powered by WordPress