Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Gjermania kërkon tribunal special kundër Rusisë për luftën në Ukrainë

Gjermania kërkon tribunal special kundër Rusisë për luftën në Ukrainë

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, bëri thirrje për themelimin e një tribunali të posaçëm ndërkombëtar për të ndjekur liderët rusë lidhur me pushtimin e Ukrainës.

Ajo çfarë duhet “është një tribunal i cili mund të hetojë lidershipin rus dhe t’i vendosë ata para gjyqit”, tha Baerbock më 16 janar, gjatë një fjalimi në Akademinë e Ligjit Ndërkombëtar në Hagë, ku gjendet edhe selia e Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

Sipas saj, me të drejtë Qeveria ukrainase është e shqetësuar që Rusia nuk mund të ndiqet penalisht para Gjykatës Penale Ndërkombëtare për agresionin e saj ndaj Ukrainës. Kjo pasi, sipas kryediplomates gjermane, Gjykata Penale Ndërkombëtare mund të trajtojë raste kur paditësi dhe i pandehuri janë anëtarë të gjykatës ose rasti ngrihet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.Rusia nuk është anëtare e Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe është një nga pesë fuqitë botërore që ka të drejtën e vetos dhe është anëtare e përhershme në Këshillin e Sigurimit. Statusi i saj në këtë institucion ka të ngjarë që do të bllokonte institucionin e OKB-së që të inicionte një rast para gjykatës.

“Kemi biseduar për të punuar me Ukrainën dhe partnerët tanë lidhur me idenë e krijimit të një tribunali special për krimet e agresionit kundër Ukrainës”, tha Baerbock, duke shtuar se një institucion i tillë do të mund të merrte juridiksionin e tij nga ligji penal ukrainas.Një tribunal i tillë do të mund të plotësohej me elemente ndërkombëtare – “të ketë selinë jashtë Ukrainës, të financohet nga partnerët, të ketë prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë në mënyrë që paanshmëria dhe legjitimiteti të jetë i garantuar”, tha Baerbock.

Ukraina, Bashkimi Evropian dhe Holanda publikisht kanë mbështetur idenë e krijimit të një tribunali special. Rusia, që e quan luftën e saj në Ukrainë “operacion të posaçëm ushtarak”, ka hedhur poshtë akuzat për krime lufte, përfshirë sulmet e qëllimshme ndaj civilëve ukrainas, mijëra prej të cilëve janë vrarë.

Shefi i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, megjithatë ka paralajmëruar për fragmentim të mundshëm ligjor dhe ka thënë se gjykata që ai udhëheq, në fakt është vendi më i mirë për gjykime që përfshijnë krimin e agresionit. Sipas tij, gjykime të tilla mund të zhvillohen pasi shtetet anëtare mund të rregullojnë “zbrazëtirat që thuhet se ekzistojnë”. /REL/

Powered by WordPress