Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Gjermania gati për zgjedhje, Scholz humb mocionin e mosbesimit

Gjermania gati për zgjedhje, Scholz humb mocionin e mosbesimit

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, SPD, kërkoi të hënën, 16 dhjetor 2024, në Bundestag, votëbesimin e Parlamentit Gjerman, për të hapur rrugë për zgjedhjet e reja.

Zgjedhjet e reja janë një hap i nevojshëm për të tejkaluar bllokimin politik aktual, argumentoi Scholz.

Ai theksoi rëndësinë e një qeverie të qëndrueshme dhe të bashkuar për të adresuar këto çështje, duke shtuar: “Gjermania ka nevojë për vendime të guximshme, dhe këto mund të merren vetëm me mbështetjen e plotë të qytetarëve tanë për një drejtim të ri politik”.

Scholz pranoi se koalicioni tripartiak i qendrës së majtë, i përbërë nga SPD, Të Gjelbrit dhe FDP, kishte qenë sfidues që në fillim.

“Ruajtja e këtij koalicioni kërkonte shumë energji, ndërsa përfundimi i tij ishte po aq i vështirë,” tha Scholz.

Kancelari aktual, i cili kandidon sërish në zgjedhjet e shkurtit, premtoi të përqendrohet te reformat e ushtrisë, përmirësimi i infrastrukturës dhe fuqizimi i ekonomisë gjermane.

Ai gjithashtu mbrojti një politikë më të hapur integrimi, duke theksuar rëndësinë e fuqisë punëtore të huaj për ekonominë: “Kush jeton, punon dhe flet gjermanisht, duhet të ketë mundësinë të qëndrojë këtu”, tha Scholz.