Shkruan: Afrim Kasolli
Kosova dhe Serbia me 27 shkurt të vitit 2023 u dakorduan për t’i normalizuar marrëdhëniet ndërmjet tyre sipas atij që njihet si propozimi franko-gjerman. Këtij plani me 18 mars iu shtua edhe Aneksi i zbatimit të Ohrit. Edhe pse mungonte firma Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuqic si dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në këtë dokument, sipas të dytit për shkak të refuzimit të të parit, megjithatë sipas këndvështrimit të ndërmjetësuesit zyrtar të këtij procesi, tashmë kjo marrëveshje ka karakarter obligiativ ligjor për të dy vendet. Një gjë të tillë e konfirmoi hiç më larg se para disa ditësh, edhe vetë i dërguari zyrtar i Brukselit për këtë proces, Peter Sorensen. Ai ndër tjera shtoi se ekspertë juridikë si nga SHBA ashtu edhe nga Bashkimi Evropian e kanë siguruar atë se tashmë të dy marrëveshjet kanë karakter legal ndërkombëtar.
Ndërkohë, që nga koha kur të dy palët ishin pajtuar për t’i zbatuar obligimet nga këto dokumente, Bashkimi Evropian i kishte paralajmëruar si Kosovën ashtu edhe Serbinë, se në rast të sabotimit të tyre, agjenda euro-integruese do të jetë e mbyllur për të dyja palët. Madje ky urdhër ndodhej i brenda shkruar në Aneksin e Ohrti ku në pikën e fundit të tij shumë qartë thuhet se “Kosova dhe Serbia e pranojnë se mosrespektimi i obligimeve të tyre nga Marrëveshja, Aneksi ose Marrëveshjet e Dialogut të kaluar, mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe për ndihmën financiare që marrin nga BE-ja”.
Sidoqoftë, që nga viti 2023 në masë të madhe të dy vendet nuk është se kanë shënuar ndonjë progres në drejtim të zbatimit të kësaj marrëveshje. Për më shumë ajo është shkelur disa herë në mënyrë hapur. Fillimisht me letrën e njohur të ish-kryeministres së Serbisë Ana Bërnabiq, drejtuar BE-së. Me anë të kësaj letre ajo shprehte rezerva ndaj këtij plani dhe e konsideronte atë si një “fonatanë dëshirash” për shtetin serb, ku ky i fundit do t’i zbatojë vetëm ato pika që kanë interes për të. Po ashtu, Beogradi nuk e ka ndalur asnjëherë fushatën lobuese kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kurse dhunimi më i madh i saj ndodhi me 24 shtator të vitit 2023, ku grupe paramilitare dhe terroriste të trajnuara nga Serbia e sulmuan Kosovën në fshatin Banjskë. Ky akt e cënontë hapur nenin 3 të Marrëveshjes bazë i cili në mënyrë kategorike kërkonte që “në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do ta zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre vetëm në mënyrë paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi apo përdorimi i forcës”.
Megjithatë, edhe përkundër këtyre abuzimeve të hapura nga Beogradi në raport me këtë marrëveshje nuk ka shumë ditë që pikërisht Franca dhe Gjermania, se bashku me shtete tjera u mobilizuan në favor të Serbisë me qëllim t’i ndihmohet asaj, për t’i hapur kapitujt e rinj të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Madje sipas burimeve të Kohës Dirore, konkretisht korrespondentit të këtij mediumi nga Brukseli, Augustin Palokaj, ishin shtete si Kroacia dhe Belgjika, që e ndalën këtë proces, sepse përndryshe shteti serb do të ishte bërë pjesë e “super të martës” së bashku me Malin e Zi dhe Shqipërinë.
Ky qëndrim i Berlinit dhe Parisit paraqet një “thikë pas shpine” për Kosovën, sepse përkundër faktit se Serbia e ka sabotuar hapur normalizimin e raporteve me Kosovën sipas planit tw hartuar nga këto dy kryeqendra, megjithatë ato janë pajtuar që ta aministojnë këtë fundit , duke e shpërfillur në këtë mënyrë veçanërisht pikën e fundit të Aneksit të Zbatimit të Ohrit.