Gjermania mirëpriti sot uljen e tensioneve midis Serbisë dhe Kosovës, por nuk pranoi të komentonte rreth kërkesës së Kosovës për më shumë paqeruajtës të NATO-s në rajon.
“Kjo është një shenjë e mirë, që të dy palët janë afruar me njëra-tjetrën dhe se pakica serbe në veri të Kosovës i ka hequr barrikadat”, tha zëvendëszëdhënësja e qeverisë, Christiane Hoffmann në Berlin.
Ajo i referohej barrikadave të militantëve serbë të ngritura javët e fundit në dhjetëra lokacione në veri të Kosovës, duke bllokuar rrugët e hyrjes në dy pika kufitare me Serbinë.
Nga ana e saj, qeveria e Kosovës rihapi pikën më të madhe kufitare me Serbinë.
“Prioriteti tani është që dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të vazhdojë të mbështetet. Qeveria gjermane po e bën këtë në mënyrë shumë aktive”, tha Hoffmann.
Gjermania rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen e saj për përpjekjet ndërmjetësuese të Bashkimit Evropian.
Megjithatë, as qeveria dhe as Ministria e Jashtme nuk e kanë komentuar kërkesën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të forcuar praninë e NATO-s në Kosovë.
“Një rritje e konsiderueshme e ushtarëve dhe pajisjeve ushtarake të NATO-s në vendin tonë do të përmirësonte sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti për gazetën gjermane “Die Welt”.
Forca mbrojtëse e udhëhequr nga NATO, KFOR, ka marrë për detyrë të garantojë sigurinë në mbarë Kosovën që nga viti 1999. Ajo aktualisht ka pothuajse 3800 anëtarë, duke përfshirë rreth 70 ushtarë gjermanë. /DPA/