Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Gjergj Dedaj në “N’Pult”: Asnjë parti s’mund të synojë më 50% të votave në Kosovë

Gjergj Dedaj në “N’Pult”: Asnjë parti s’mund të synojë më 50% të votave në Kosovë

Ish-ambasadori dhe politikani Gjergj Dedaj ishte i ftuar në emisionin “N’Pult”, ku foli për zgjedhjet lokale në Kosovë, rezultatet e tyre dhe ndikimin politik që pritet në të ardhmen. Dedaj theksoi se zgjedhjet përfunduan në mënyrë demokratike dhe se rezultati është real, duke paralajmëruar ndryshime në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.

Dedaj: Zgjedhjet ishin demokratike – asnjë parti nuk e ka më shumicën – nuk do të ketë subjekt politik që ëndërron 50%

“Zgjedhjet lokale ishin demokratike, përfunduan me një epilog çfarë e meriton Kosova dhe çfarë e japin vetëm qytetarët e pjekur edhe demokratikisht të urtë të Republikës së Kosovës. Ky është rezultat real, që nënkupton se asnjë subjekt politik nuk e ka shumicën. Kjo është një paralajmërim se do të ketë ndryshime në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Më nuk do të ketë subjekt politik që ëndërron dhe synon 50%, siç kanë dëshiruar, por secili do të luftojë mes 20-30%”

Ai po ashtu ka bërë një renditje të partive politike sipas ndikimit të tyre në skenën politike, duke theksuar se LDK dhe PDK mbeten më të fuqishmet, ndërsa Vetëvendosja, sipas tij, është në vendin e tretë.

Gjergj Dedaj: LDK dhe PDK mbeten më të fuqishmet, Vetëvendosja ka rënë në vendin e tretë politikisht

“Jam i bindur nëse bëjmë një radhitje, atëherë kisha thënë se LDK-ja dhe PDK-ja janë në vendin e parë dhe të dytë të influencës në skenën politike, ndërsa LVV-ja është në vendin e tretë. Sepse Lidhja Demokratike e Kosovës e ka Prishtinën, që është gjysma e Kosovës, nuk është njëjtë me fitu Prishtinën si me fitu Junikun. Vetëvendosja i ka fituar disa komuna të rangut të dytë, jo të parit. Për nga numri i banorëve, Vetëvendosja është ulë në sofrën e tretë të rezultateve elektorale. Në zgjedhjet e ardhshme, Vetëvendosja ka me luftu për vendin e tretë në Republikën e Kosovës”

Dedaj foli edhe për Mitrovicën, të cilën e cilësoi si “njollë të zezë” të zgjedhjeve lokale, duke thënë se aty ka indikacione për parregullsi dhe se kjo komunë ka pasur rëndësi të veçantë për Vetëvendosjen.

Dedaj: Mitrovica është njollë e zezë e zgjedhjeve, për Albin Kurtin ajo është “me qenë ose mos me qenë në skenë politike”

“Mitrovica do të mbetet një njollë e zezë në zgjedhjet lokale, ka indikacione. Mitrovica për Albin Kurtin është me qenë ose mos me qenë në skenën politike të Kosovës. Sepse nuk ka kursyer as kohë as financa për me mujt me fitu Mitrovicën”. /TV Arbëria