Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > “Gjendja është shumë e keqe”, Hyseni i VV’së vazhdon t’i lë pa shërbime 40 fëmijë me aftësi të kufizuara të shoqatës “Handikos” në Gjilan

“Gjendja është shumë e keqe”, Hyseni i VV’së vazhdon t’i lë pa shërbime 40 fëmijë me aftësi të kufizuara të shoqatës “Handikos” në Gjilan

40 fëmijë me aftësi të kufizuara në komunën e Gjilanit ende vazhdojnë të mbesin pa shërbime rehabilituese, pasi që kjo komunë e udhëhequr nga Alban Hyseni, nuk është duke e financuar shoqatën ‘Handikos’. Që nga muaj maj iu janë ndërprerë financimet. Drejtori i kësaj shoqate, për Insajderin shprehu shqetësim dhe tha se “gjendja me fëmijët me aftësi të kufizuara në ‘Handikos’ është shume e keqe“.

Në vitin 2024, Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni kishte vendosur të ndaloj financimit për OJQ’të që mbështesin dhe ofrojnë trajtime për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Drejtori i shoqatës “Handikos”, Fatmir Shurdhani, në një prononcim për Insajderin tha se 40 fëmijë me aftësi të kufizuara kanë mbetur pa shërbime rehabilituese, pasi komuna nuk është duke i financuar që nga muaji maj.

“Kryetari i komunës për këtë vit nuk ka hap fare thirrje publike për ojq që ofrojnë shërbime specifike kjo na ka dëmtu shumë. Mirëpo shoqata nuk mbyllet, por janë mbyllë shërbimet e rehabilitimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Dmth prej muajit maj këta fëmije nuk kanë mar shërbime të rehabilitimit. Për fat të keq edhe Ministria e Drejtësisë që është në kuadër të Drejtësisë për sektorin e mireqenies sociale, as ata nuk kanë nda buxhet këtë vit. Gjendja me fëmijët me aftësi të kufizume në Handikos në Gjilan është shume e keqe”.

Tutje ai tha se punëtorët e kësaj shoqate kanë shkuar në shtëpi, pasi që nuk kanë financa për t’i paguar.

“Punëtoret kanë shkuar në shtëpi, sepse ata munden ndoshta një muaj me punu pa paga, mirëpo jo prej majit, sepse mbajnë edhe familje”

Ai tutje tha se sipas mundësive të veta dhe ndihmës që iu ofrohet nga organizata tjera kanë filluar një projekt të ri, po që i përfshin vetë ata deri në moshë gjashtë vjeçare.

“Tash kemi me fillu me një projekt per femijet, per identifikimin e hershem e qe ka te beje vetem me femijet deri ne moshat deri në gjashte vjecare. Perseri nuk zgjidhet problemi i plotë, aktivitet kanë me u zhvillu drejtpërdrejtë nga shtëpia jo në shoqatë. Por prej moshës gjashtë deri në 14 ata janë të anashkaluar për sivjet”.

Drejtori i Handikos, Fatmir Shurdhani, theksoi se ka tentuar disa herë që ta bindë kryetarin Hyseni, që t’i financojë por nuk i është përgjigje asnjëherë.

“Jam përpjek në mënyra të ndryshme me bind kryetarin për me na mbështetë, por kjo është politizu skajshëm, e kam bo kërkesën për takim, e kam thirrë në telefon, i kam shkru mesazh por asnjëherë nuk mu ka përgjigje“, tha Shurdhani.

Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në komunë e Gjilanit, si dhe Alban Hysenit, por të njëjtit deri në publikimin e këtij teksti, nuk kanë kthyer përgjigje.

Insajderi edhe në qershor të këtij viti kishte raportuar rreth të këtij shqetësimi. Ku dhjetra nëna të fëmijëve me aftësi të kufizuar në Komunën e Gjilanit janë në gjendje të rëndë pasi nuk po kanë një qendër ku t’i dërgojnë fëmijët e tyre. Kryetari Hyseni përmes vendimit për ndalimin e ndarjes së mjeteve financiare po ua vështirëson jetesën normale.

Antigona Latifi Dushica, një nënë nga Gjilani kishte adresuar tek Insajderi vështirësitë që po përballen pas këtij vendimi të kryetarit Hyseni.

Kryetari i Komunës së Gjilanit nuk ka dhënë asnjë arsyetim lidhur me këtë vendim e as nuk ka pranuar që të takohet me drejtuesit e Shoqatave që ofrojnë shërbime për këtë kategori të personave.

Powered by WordPress