Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Shëndetësi > Gjendja e shëndetit oral të fëmijëve është përkeqësuar, apelohet për kujdes

Gjendja e shëndetit oral të fëmijëve është përkeqësuar, apelohet për kujdes

Gjendja e dhëmbëve te fëmijët është shqetësuese. Krahasuar me vitin 2020 fëmijët e grupmoshave 2.5-7 vjet, nё mesatare kanë mbi 10 dhëmbë tё qumështit tё prishur, ndërsa ata nga 7 deri në 14 vjeç në mesatare kanë 4 dhëmbë të prishur.

Kështu thotë rezultati i një hulumtimi të bërë nga udhëheqësi i projektit “Dhëmbë të Shëndoshë, fëmijë të lumtur“, Xheladin Ujkani, i cili me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Dentistit kërkoi nga prindërit, por edhe institucionet kujdes më të shtuar për shëndetin e gojës te fëmijët.

Dentisti i fëmijëve, Xheladin Ujkani u shpreh se krahasuar me hulumtimin e vitit 2020 shëndeti i dhëmbëve të fëmijëve është përkeqësuar.

Sipas hulumtimit të bërë gjatë dy muajve të fundit, tek 114 fëmijë janë evidentuar 1188 dhëmbë të qumështit të prishur.

Ujkani: Gjendja në raport me vitin 2020 është përkeqësuar

“Gjendja në raport me vitin 2020 është përkeqësuar, jo që është shqetësuese por është përkeqësuar. Pse për shkak se tek 114 fëmijë i kemi 1188 dhëmbë të qumështit të prishur. Që i bie moshat prej 2.5 deri në 7 vjeç ku janë shumica dhëmbë të qumështit, mosha mesatare e tyre është 5.3 vjet kemi 10.4 dhëmbë të prishur tek kjo grupmoshë. Ndërsa, tek dhëmbët e përhershëm kemi deshtë me pa edhe sa dhëmbë të përhershëm i kanë të prishur moshat 7 deri 14 vjet edhe kjo është shqetësuese shumë, sepse ka dalë se afër 4 dhëmbë të prishur të përhershëm i kanë fëmijët nga 7 deri 14 vjet e që mosha mesatare e tyre ka dalë që është 9-vjeçar”, tha ai.

Dentisti Ukjani u shpreh se përveç dhëmbëve të prishur, shumica e fëmijëve për shkak të moskujdesit nuk kanë nofull të zhvilluar mirë, dhe se ballafaqohen edhe me kafshim të gabuar.

Ai theksoi se deri në këtë gjendje të rëndë për fëmijët po vjen si rezultat i pakujdesisë dhe neglizhencës nga ana e prindërve.

Ujkani: Shumica e këtyre fëmijëve kanë nofull shumë të dobët

“Shumica e këtyre fëmijëve kanë të zhvilluar nofull shumë të dobët, kafshim të gabuar e këto probleme vijnë për shkak të frymëmarrjes me gojë që duhet me qenë me hundë, mandej gëlltitjes të kundërt të gabuar, pozicionit të ulët të gjuhës, mandej pasivizimit dhe mosfunksionalizimit të muskujve të gjuhës. Ndikojnë edhe përdorimi i tepërt i shisheve e biberoni dhe ushqyerja me ushqime të bluara deri në moshën 4-5 vjeçare”, theksoi Ujkani.

Dentisti i fëmijëve, Xheladin Ujkani kërkoi nga institucionet e vendit që të investojnë më shumë për edukimin dhe promovimin e shëndetit të dhëmbëve dhe gojës.

Ai kërkoi që të bëhen të detyrueshme vizitat stomatologjike te fëmijët para moshës 3-vjeçare.

Ujkani: Kemi kërkuar vizitat të bëhen të detyrueshme para moshës 3-vjeçare

“Kemi kërkuar që vizita me u bë të detyrueshme për fëmijët para moshës 3-vjeçare, atëherë kur kompletohen dhëmbët e qumështit edhe nëse nuk ka asnjë dhëmbë të prishur me bë vizitën e parë tek dentisti. Pse? Për shkak se në 2020 hulumtimi i fundit që kemi bërë mosha mesatare që vizitojnë dentistin për herë të parë ka qenë mosha 5-vjeçare. Mirëpo, mesatarja e dhëmbëve të prishur ka qenë 10 dhëmbë të prishur tek grup-moshat 5-vjeçare… Kemi kërkuar prej Qeverisë të fillojë zbatimin e sigurimit shëndetësor, kemi kërkuar nga MASHTI me e ndalu futjen e ushqimeve të dëmshme në të gjitha objektet e arsimit fillor, me i bë funksionale kuzhinat nëpër çdo institucion të arsimit fillor… Kemi kërkuar që për regjistrimin e fëmijëve në klasën e parë kërkimin e një raporti prej dentistit për gjendjen e dhëmbëve të fëmijëve të tyre “, theksoi ai.

/TV Arbëria 

Powered by WordPress