Gjendja shëndetësore e dy nxënësve (viti i lindjes 2008) të shkollës fillore “Faik Konica” në Prishtinë, të cilët të martën morën plagë të rënda në disa pjesë të trupit pasi u goditën nga rryma elektrike, për momentin është stabile dhe janë duke u trajtuar në repartin e Kirurgjisë plastike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Doktoresha, Violeta Zatriqi, kirurge Plastike Estetike në një prononcim për Telegrafin ka treguar njëri nga pacientët është 17 për qind i djegur në sipërfaqe të trupit, ndërsa tjetri 4.5 për qind.
Sipas Zatriqit, edhe pse djegiet janë në sipërfaqe të vogël ato janë djegie të thella.
“Gjendja e pacientëve për momentin është stabile. Njëri nga pacientët është 17 për qind i djegur. Ka qenë i hospitalizuar në mjekimin intensiv dhe për momentin është transferuar në Kirurgjinë plastike, pasi gjendja është stabile, nuk është në rrezik të jetës. Djegiet fatmirësisht janë me përqindje të vogël të sipërfaqes trupore, por janë djegie të thella. Njëri është më 4.5 për qind, ndërsa tjetri është me 17 për qind”, ka thënë doktoresha.
Tutje ajo tregoi se njëri nga pacientët i ka plagët në pjesën e sipërme dhe të poshtme, ndërsa tjetri në dy gjymtyrët e sipërme të trupit.
“Procedura e trajtimit të tyre konsiston në trajtimin e plagëve çdo të dytën ditë në sallën operatore, dhe varësisht nga thellësia e djegies, sepse djegiet me rrymë elektrike shkaktojnë djegie të shkallë së thellë dhe nëse ka nevojë për intervenim kirurgjikal…për momentin janë duke u trajtuar me antibiotik dhe me medikamente medicinale, analiza dhe të gjitha analizat të cilat janë të nevojshme…njëri i ka ekstremitetet e sipërme, shpina, gjymtyrët dhe pjesën e poshtme – 17 për qind, ndërsa tjetri në dy gjymtyrët e sipërme, 4.5 për qind”, ka thënë ndër të tjera Zatriqi.
Ndryshe, lajmin për rastin e kishte konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 10:30 kemi pranuar informatën se në rrugën ‘George Bush’ në Prishtinë, dy persona (të mitur) janë goditur nga rryma elektrike. Personat janë dërguar për tretman mjekësor”, kishte thënë Ahmeti.
Ahmeti bëri të ditur që policia në koordinim me institucionet përkatëse po trajton rastin.
/TV Arbëria