Në lokacionin Lugjet e Nekës – në Bjeshkët e Strellcit, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin viktimave të luftës, të cilat ende figurojnë në listën e personave të zhdukur, tha të premten Komisioni qeveritar për persona të zhdukur.
“Informatat e pranuara nga qytetarët janë adresuar në bashkëpunim me Sektorin e Policisë për Persona të Zhdukur në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe me Institutin e Mjekësisë Ligjore IML, me mbështetjen e ekspertëve të EULEX-it”, thuhet në njoftim.
Me urdhër të prokurorit kompetent, mbetjet mortore u zhvarrosën dhe u dërguan në IML për ekzaminime të mëtejme dhe identifikim përmes analizës së ADN-së.
Janë rreth 1600 qytetarë të vrarë, e më pas të zhdukur me dhunë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë, të cilët ende mungojnë.
Autoritetet shtetërore në Kosovë kanë kërkuar që Serbia të hapë arkivat shtetërore, që sipas tyre, do të ndihmonin në zbardhjen e fatit të të pagjeturve./Kp