Në Malishevë janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se i përkasin një personi të shpallur të zhdukur më 5 tetor të vitit të kaluar.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se eshtrat dyshohet se i përkasin një mashkulli kosovar, ndërsa janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“Lidhur me rastin janë gjetur eshtra të njeriut që dyshohet se i përkasin viktimës mashkull kosovar, i cili ishte shpallur si person i zhdukur. Eshtrat e gjetura janë dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.
Ndërkohë, burime të TV Arbëria kanë bërë të ditur se personi me iniciale H.S, ishte shpallur i zhdukur para rreth 10 muajsh. Sipas këtyre burimeve, trupi ishte gjetur rreth 30 për qind i dëmtuar, çka ngre dyshime pasi kjo gjendje, sipas tyre, nuk përkon me periudhën e zhdukjes.
Rasti pritet të sqarohet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore.