Shkruan: Afrim Kasolli
Shumë kush ka mbetur i hutuar javën e kaluar, kur zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, deklaroi për media se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen më 26 qershor në Bruksel për të zhvilluar, një raund të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Befasia bëhet edhe më madhe kur marrim parasysh sjelljen e çuditshme të kryeministrit Kurti, pak para kumtimit të këtij lajmi “spektakular”.
Siç dihet javën e kaluar pikërisht për këtë qëllim e kishte viztuar Kosovën, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Dhe gjatë prononcimit për media, ai deklaroi të “se të dy vendet duhet të bëjnë hapa për të zbatuar Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve, të arritur në shkurt të vitit të kaluar”. Po ashtu, i dërguari M. Lajçak, pohoi “se duhet të hiqen masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës dhe që ura mbi lumin Ibër duhet të hapet në një mënyrë që nuk përshkallëzon situatën”.
Ndërkohë, paralelisht me këtë zhvillim, përfaqësuesi për politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borell në raportin e tij përfundimtar për Kosovën, u rekomandoi shteteve anëtare të Unionit, suspendimin e masave ndëshkuese për Kosovën me arsyetimin se një vendim i tillë nga e ana e “Këshillit do të ishte sinjal politik dhe do të kontribuonte në kontekstin e balancuar në të cilin dialogu Prishtinë-Beograd, që lehtësohet nga BE-ja, mund të ecë përpara”. Pra shihet qartë se në këtë mënyrë fati masave ndëshkuese në masë të madhe, sipas kësaj logjike, do të varej nga plotësimi i thirrjes së Mirosllav Lajçak-ut, për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi nën drejtimin e BE-së. Dhe Qeveria e Kosovës u pajtua për një kushtëzim të tillë në mënyrë tejet tinëzare.
Fillimisht të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, gjatë vizitës në Kosovë nuk e priti fare në takim, kryeministri Kurti, por numri i dy i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi. Ky i fundit pas këtij takimit në një komunikatë për shtyp, ndër të tjera e “nënvizoi rëndësinë e nënshkrimit si dhe zbatimit në plotni të marrëveshjeve, përmes një plani të sekuencimit të balancuar, të barabartë dhe të drejtë për palët. Gjithashtu shtoi se Serbia në vazhdimësi e ka shkelur marrëveshjen në shumicën e neneve të saj, veçanërisht nenin 4 të saj kur ka votuar e lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, e po ashtu dhe përmes letrës së ish-kryeministres Brnabiq në dhjetorin e kaluar”.
Ndërkohë, për të zhdukur çdo gjurmë për takimin e mundshëm të 26 qershorit, i pari i Qeverisë së Kosovës e bëri atë që dinë të bëjë më së miri në kësi raste. Vendosi të bëhet tifoz i kombëtares shqiptare gjatë ndeshjes më Kroacinë në euro 2024 në stadiumin ku po zhvillohej ndeshja. Madje me një status në rrjetin e tij social ai e mori rolin e një “trajneri” sportiv duke treguar se cila pjesë cilës kombëtare i takonte. Ndonëse sipas tij “Në fund u ndamë me nga një pikë secila. Atmosferë që nuk përsëritet me lojë të bukur futbolli. Ëndrra vazhdon!”.
Pra, i pari i Qeverisë së Kosovës, zgjodhi që të shfaqet para opinionit publik i mbështjellur në qafë me shallin kuq e zi, pikërisht në kohën kur në prapaskenë vartësi i tij ishte duke ia aranzhuar takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, edhe pse kishte premtuar se nuk do të takohej me të pa sanksionimin ndërkombëtar të Serbisë, për shkak të rolit të këtij shteti ne orkestrimin e sulmit paramilitar të 24 shtatorit mbi territorin e Kosovës. /TV Arbëria