Në vitin 2024 subvencionimi për një hektar të mbjellë me speca do të jetë 600 euro, që është rritje për 100 euro, ka bërë të ditur ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.
Me një shumë të njëjtë do të përkrahen dhe sipërfaqet e mbjella me domate, fasule, tranguj, qepë e hudhra.
Ministri Peci ka prezantuar Programin për Pagesa Direkte 2024, gjatë një vizite në Rahovec, të cilin ai e quajti “kryeqyteti i bujqësisë”.
Kreu i MBPZhR-së tha se prioritet po u japin kulturave perimore, strategjike për eksport.
“Rritje të përkrahjes për disa prej kulturave perimore të kultivuara në fushë të hapur. Speci nga 500 €/ha sa ka qenë, tani në vlerë prej 600 €/ha; domate nga 500 €/ha sa ka qenë, tani në vlerë prej 600 €/ha; tranguj nga 500 € ha sa ka qenë, tani në vlerë prej 600 €/ha; qepa nga 500 € sa ka qenë tani në vlerë prej 600 €/ha; hudhra nga 500 €/ha sa ka qenë, tani në vlerë prej 600 € ha dhe fasulja nga 500 €/ ha sa ka qenë tani në vlerë prej 600 €/ha”, u shpreh Peci .