Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll mësoi kundërshtarët në raundin e tretë parakualifikues të EuroBasket 2025.
Basketbollistët e Kosovës janë pozicionuar në Grupin H së bashku me dy kombëtaret e tjera, Zvicrën dhe Danimarkën.
Tani, shortin e ka komentuar menaxheri i Përfaqësueseve të Kosovës, Adriatik Rraci, i cili e cilësoi atë si të favorshëm, pasi që ka pasur kombëtare shumë të forta.
“Shorti ka qenë relativisht i favorshëm, pasi ka pasur kombëtare shumë më të forta, duke theksuar Kombëtaren e Kroacisë. Danimarka dhe Zvicra janë kombëtare të forta, shumë mirë të organizuara dhe me cilësi të larta”, tha Rraci.
Më tej, Rraci shpreson që Kosova mos të goditet nga lëndimet e lojtarëve, sikurse herëve të tjera.
“Ka një kohë që kemi filluar përgatitjet dhe pas hedhjes së shortit do t’i përvishemi punës dhe në këto kualifikime të hyjmë me synime të qarta. Në vitet e fundit kemi qenë të hendikepuar, pasi asnjëherë nuk kemi qenë të kompletuar. Nëse jemi komplet, atëherë shanset tona, veçanërisht për përkrahjen e Dardanëve në shtëpi, mund të jenë të larta”, tha Rraci.
Për fund, menaxheri i Përfaqësueseve të Kosovës foli edhe për gjasat e Kosovës për tu kualifikuar tutje, si dhe për kundërshtarët e “Dardanëve”.
Me Danimarkën jemi ndeshur dy herë dhe njihemi mes vete (ku kemi dëshmuar së mund ta mposhtim), ndërsa me Zvicrën është hera e parë dhe shpresoj se, mund t’ia dalim. Synimet tona janë të qarta. Të fitojmë Grupin dhe të kalojmë në fazën kualifikuese të EuroBasket 2025. Ky rrugëtim nuk do të jetë i lehtë, por as i pamundur”, tha Rraci.
Përfaqësuesja e Kosovës ndeshjen e parë do ta zhvillojë në shtëpi kundër Zvicrës, kurse më pas është mysafire e Danimarkës dhe e Zvicrës, ndërkaq këtë raund kualifikues e mbyll me përballjen kundër Danimarkës në shtëpi.
/TV Arbëria