Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Gjahtari Wiesenthal që i mungon Ballkanit

Gjahtari Wiesenthal që i mungon Ballkanit

Popujt që nuk harrojnë, por e ndjekin krimin dhe popujt që arrijnë ta njohin të ligën brenda vetes, janë moralisht të pjekur, të qytetëruar dhe me perspektivë. Aty ku harrohet krimi, aty ku tolerohet shkelja e ligjit si dhe standardeve njerëzore, aty shfaqet anarkia dhe kaosi si pasojë e voluntarizmit të të fortëve.

Shkas për nyjën hyrje të këtillë ishte vdekja e z Simosn Wiesenthal (1908-2005) njeriut që nuk harroi krimin dhe kriminelin, por ,me bindje fanatike për misionin hyjnor të drejtësisë në shoqëritë njerëzore i ndoqi kudo dhe kushdo qofshin ata.

Simon Wiesenethal lindi me 31 dhjetor 1908, në Bucaz në regjionin e Lvov, në Ukrainën e sotme. Pas vrasjes së babait të tij në Luftën e Parë Botërore, e ëma e tij e merr familjen dhe shpërngulet për një kohë të shkurtër në Vjenë, për tu kthyer sërish në vendlindje.

Simon Wiesenthal,  përpiqet të regjistrohet në fakultetin politeknik në Lvov, por për shkak të kuotave të caktuara për hebrenjtë, refuzohet dhe detyrohet që të shkoj në Pragë, të regjistrohej në Universitetin Teknik. Në vitin 1932 diplomon në fakultetin Arkitekturës.

Në vitin 1936 martohet me Cyla Mueller. Sipas kronistëve, ata deri në vitin 1939 kalojnë një jetë të lumtur, që nuk zgjati shumë. Ndërpritet pas marrëveshjes për sulmin në mes të Gjermanisë dhe Rusisë Sovjetike, ku fillon të ndahet Polonia dhe rajoni Lvovit, bëhet pjesë e Rusisë.

Ashtu si në Gjermaninë Naziste edhe në territoret e okupuara nga rusët, fillon ndjekja e hebrenjve me pretekstin e eliminimit te rrezikut nga borgjezia.

Atë çka e bënte Gestapoja gjermane, në zonat e okupuara nga rusët e përfundonte NKVD-ja. Familja Wiesenthal është në shënjestër të policisë sekrete ruse që e detyroi Simonin e ri të hyjë në radhët e NKVD për të shpëtuar familjen.

Në vitin 1941 pas hyrjes së gjermanëve në Lvov dhe dëbimit të rusëve ai mezi shpëton nga pushkatimi. Në vitin 1942 Partia Naziste vë ne veprim projektin “për zgjidhje përfundimtare të çështjes çifute” dhe familja e Wiesenthal gjendet në kampet e përqendrimit, ku 89 pjesëtarë të familjes së tij e gjejnë vdekjen.

Në vitin 1943 ai, në saje të ndihmës së nëndrejtorit të kampit Ostbahn arriti të ikë, mirëpo në qershor 1944 arrestohet dhe dërgohet në kampin e Janswka, Pas vështirësive në frontin lindor nazistët vendosin që nga 149.000 të burgosur t’i lënë të gjallë 34 prej tyre, në mesin e të cilëve edhe Simon Wiesenthal.

Pas luftës ai punon në Zyrën e shërbimeve strategjike dhe trupat e kundër zbulimit. Po në atë kohë kryeson Komitetin qendror hebraik të SHBA-ve në zonë e Austrisë.

Evidenca e grumbulluar nga ana e Wisenethalit, ka shërbyer për gjykimin e krimeve të luftës në zonën amerikane. Më 1947, pas përfundimit të misionit të SHBA-ve, Wiesenthalli me 30 vullnetarë të tjerë e hap Qendrën Dokumtare Historike të Hebrenjve në Linz të Austrisë. Mirëpo pas nisjes së periudhës së Luftës së Ftohtë, në mes të SHBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik humbet interesi në ndjekjen e nazistëve që në vitin 1954 ndikon në mbylljen e zyrës. I tërë dokumentacioni i dorëzohet Arkivit Yad Vashem të Izraelit, përveç dosjes së Adolf Eichmanit, shefit të Gestapos për çështjen çifute, i cili ishte i ngarkuar të mbikëqyr zbatimin  e projektit të “zgjidhjes përfundimtare”. Pas një punë sistematike ai vjen të informata se A.Eichmani gjendet në Argjentine dhe për këtë e njofton Ambasadorin e Izraelit në Vjenë. Policia sekrete izraelite arrin ta arrestoj dhe ta dërgojë për gjykim në Izreal. Dënohet me vdekje dhe ekzekutohet me 31 maj të viti 1961.

I inkurajuar nga arrestimi i Eichmnanit, Wiesenthali e rihap Qendrën Dokumentare Hebraike me seli ne Vjenë që vihet në shërbim të ndjekjes së krimineleve të luftës. Që nga ajo kohë z.Simon Wiesenthal bëhet gjahtarë i kriminelëve të luftës në përgjithësi dhe arrin t’i ulë në bankën e zezë më se 1.100 prej tyre.

Punë që e kryen qendra e tij në Vjenë është madhështore. Ai grumbullon fakte të pamohueshme për më se 90.000 kriminelë, emrat e të cilëve kanë qenë anonim për shkak të pozitës së tyre të ulët në hierarkinë ushtarake.

Për punën që bëri, ai mori shumë çmime, mirënjohje dhe lëvdata veçmas ngaqë punën e tij e zgjeroi në ndjekjen e krimeve të luftës pa marrë parasysh përkatësinë tyre etnike dhe veçmas për besimin e tij në drejtësi.

Qëllimi i këtij artikulli nuk është gjithaq për portretizimin e një personaliteti të madh të shekullit 20-të, por duke shfrytëzuar veprën e tij për të nxjerrë përfundime për të sotmen, përkatësisht për të bërë krahasim në mes të qasjeve shoqërore ndaj krimeve të kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore  dhe gjatë luftërave që u zhvilluan në hapësirat e ish-Jugosllavisë.

Simon Wiesenthali gjahun kundër nazisteve e nisi në territorin gjermanisht folës. Së pari një Linz e pastaj në Vjenë. Puna e tij nuk u pengua në asnjë mënyrë dhe nga askush. Gjatë tërë periudhës 50 vjeçare ai nuk hasi në pengesa burokratike apo tjera, pos hedhjes diletante të një bombe në korridorin e qendrës së tij që nuk pati pasoja në njerëz. Është e qartë se gjermanët kanë pasur mijëra variante për ta penguar punën e tij, madje deri të likuidimi i tij fizik, por ata nuk e bënë këtë. Përkundrazi, i ndihmuan atij, madhe edhe ish-ushtarët gjermanë duke i ofruar informacione të sakta për krimet e luftës.

Suksesi madhështor i Qendrës së Wiesenthal nuk është vetëm fryt i këmbëngulësisë dhe fanatizmit të z. Wiesenthal, por edhe ndjenjës së përgjegjësisë për faj të popullit gjerman. Ata sinqerisht shfaqen gatishmëri që përmes distancimit nga krimet të lirohen nga pesha e padurueshme e fajit. Pendesa e popullit gjerman ishte po aq serioze  sa përcaktimi i hebrenjve për ta hulumtuar dhe dënuar krimin. Populli gjerman nuk deshi ti ikë ndjenjës, peshës së fajit dhe përgjegjësisë për atë çka ndodhi në kampet e përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ata gjithashtu do të mund ta zgjidhin variantin e cinizmit dhe relativizmit të fajit. Afër pesë dekada gjermanët me devotshmëri kërkonin falje dhe jepnin sinjale të fuqishme për pendesë.

Dy popuj të mëdhenj, serioz, moralisht të pjekur, ai hebraik dhe gjerman, arritën paqen dhe pajtimin, jo duke i ikur fajit, por duke u vetëdijesuar për të ligën ne vetvete. Imagjinonani sikur në Beograd apo Novi Sad të hapej një qendër shqiptare për hulumtimin e krimeve të serbëve. Sa sekonda pas hapjes do të funksioneve kjo zyre?

Pas gjithë krimeve të kryera, te serbët ende nuk ekziston ndenja e fajit, por e kundërta: ne aq fanatizëm si më parë behën përpjekje për relativizim të fajit dhe rikthim në skenën politike të platformave që shkaktuan luftën.

Në Gjykatën e Hagës aktualisht tragjedia shndërrohet në farsë. Komedianti kryesor i kësaj farse është fajtorë kryesor i krimeve të luftës, Milosheviqi.

Ai në mënyrë jo serioze, madje infantile refuzon të pranoj faktin se janë shfrytëzuar kapacitet ushtarake, dikur të përbashkëta të armatës jugosllave për t’i shfarosur popujt që refuzonin t’i nënshtroheshin diktatit serb. Ai po ashtu refuzon faktin se ka pasur njësi paramilitare dhe para policore të formuara nga institucionet e shtetit që kryen krime makabre. Ai madje gjen kohe dhe motive kush e di se nga cila zonë e erret e trurit të tij për të lavdëruar parimësinë e ushtrisë dhe policisë serbe.

Kështu në Gjykatën e Hagës përfaqësuesit serb, me arrogancë shpërfillëse vazhdojnë avazin e tyre që i torturon të gjithë. Milosheviqi e pyet kipcin e tij politik, Sheshelin, nëse ai di diçka për ekzistimin e njësiteve paramilitare dhe për krimet e tyre eventuale.

Ai natyrisht e mohon këtë, por pas një pauze, pohon se ai vet ka qitur kundër pozicioneve të boshnjakëve dhe se do të ishte i lumtur po qe se do të kishte vrarë ndonjë mysliman.

Faktori ndërkombëtar kohët e fundit fuqishëm përhap idenë e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës.

Dialogu  duhet të zhvillohet me njerëz të rinj që po ashtu nuk kanë ndjenjë të përgjegjësisë për krime, brejtje të ndërgjegjes për projektet 10 vjeçare që kishin synim shfarosjen e shqiptarëve.

Si mund të arrihet paqja me ata që nuk janë të vetëdijshëm për krimin, me ata që nuk dinë ta dallojnë të ligën nga e mira? Këto bisedime do të kenë vetëm një sukses; do ta riaktivizojnë fajin, ose thënë më konkretisht do ta rehabilitojnë fajtorin.

Në këtë proces përdoret argumenti i fajësisë individuale duke tentuar qartazi të amnistohet populli serb. Këto përpjekje nuk marrin parasysh faktin se Milosheviqi disa herë u votua nga populli serb, përkatësisht projekti i tij për hegjemonisë serbe. Këto përpjekje po ashtu nuk marrin përsysh faktin se ai u mbështet nga të gjitha shtresat e popullsisë, nga intelektualet, nga kreu i Kishës Ortodokse Serbe  dhe nga të gjitha partitë politike,,, atëherë bëhet e qartë se të gjithë këta faktorë, politikë, shoqërorë, shkencorë dhe religjiozë, kanë pasur gisht në formimin e një politike që e legjitimoi luftën dhe gjenocidin si mjet për realizmin e projekteve hegjemoniste serbe. Ata tani, të lehtësuar nga faji me po aq zjarr dhe këmbëngulje përhapin vlerësim dhe pretenidime ndaj Kosovës, ashtu si në 100 vitet e kaluara, duke e mbajtur peng edhe më tutje paqen në rajon.

Luftërat që përfundojnë pa fajtorë kurrë nuk përfundojnë as me paqe.

(ky shkrim ishte shkruar nga politikani i ndjerë Arbër Xhaferi me 10.01.2005. Tv Arbëria e sjell atë për të kuptuar rëndësinë e dënimit të krimeve të luftës dhe ndjekjen e kriminelëve, veçanërisht në ditën sikur kjo, që përkujtohet masakra e Reçakut)

Themes by WordPress