Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri ka bërë një krahasim të këtij procesi me periudhën sa ishte në krye të dialogut. Në një intervistë për Ekonomia Online, Tahiri thotë se Qeveria Kurti ka dështuar në dialog, dhe në vend se të sjellë stabilitet dhe paqe, solli vetëm tensione.
Tahiri ka deklaruar se Qeveria Kurti nuk arriti ta shfrytëzojë letrën e presidentit amerikan, Joe Biden, i cili kërkonte njohje reciproke. Thotë se marrëveshja mund të arrihet pa njohje të ndërsjelltë e me formim të Asociacionit.
“Ne gjithë e dimë që dialogu apo negociata me Serbinë kemi pasur në disa faza; në konferencën e Rambujesë, para saj kemi pasur; e fituam lirinë e paqen. Kjo Qeveria aktuale ka dështuar në dialog. E kishin në dorë letrën e presidentit Biden që theksoi qartë që dialogu duhet fokusohet në njohjen reciproke mes dy shteteve, por Kurti e dështoi atë letër, dështoi historikisht. Kosova nxori një marrëveshje që s’e përmban njohjen reciproke, plus nuk ishte në gjendje ta kundërshtojë Asociacionin edhe pse fitoi 50 për qind mbi kundërshtimin e Asociacionit. Tash e pranoi pa u skuqur”, thotë Tahiri.
Teksa ka folur për dialogun me Serbinë, ish-kryenegociatorja thotë se Serbia ka shpëtuar pa u ndëshkuar për sulmin në Banjskë falë dështimit të institucioneve kosovare. Kritikën ia faturon sidomos Ministrisë së Punëve të Jashtme.
“Këto ditë ia dha edhe tokat Manastirit (të Deçanit) e të tjera dështime. Në përgjithësi për dialogun mund të them se është i vdekur sepse s’pati rezultate. Ky dialog në këtë periudhë, në vend se të sjellë stabilitet dhe paqe, solli tensione. Mbërrijmë në situatën kur Serbia bëri agresion në Banjskë e mbeti e pa ndëshkuar, e Kosova dhe sot është e ndëshkuar. Kemi të bëjmë me qeveri inferiore, por edhe Ministri të Jashtme inferiore që s’arriti së paku që Kosovës t’i hiqen sanksionet e Serbisë t’i vihen. Këtu jemi sot”, u shpreh Tahiri.
E imazh pozitiv sipas Tahirit, Kosova në dialog kishte gjatë kohës kur ajo e udhëhiqte këtë proces. Thotë se kanë arritur ta shtrijnë sovranitetin në tërë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun.
“Ku isha unë kryenegociatore aty edhe Kosova doli me imazh pozitiv se Kosova kishte grua, pra ma kryenegociatore. Serbia as në delegacion s’ka pasë gra, e unë i kam pasur këshilltaret e mia, e kam fjalën ai dialog, ku kam qenë unë për ato shtatë vite kemi arritur të shtrijmë sovranitetin e Kosovës në veri të Kosovës, kemi zhbërë struktura paralele serbe, marrëveshje që kanë hequr pengesa Kosovë e Serbi. Së pari vendosja e kufirit në veri, sepse pikat kufitare ishin të djegura kur filluam dialogun në 201, sepse Serbia i dogji si reagim për shpalljen e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Edita Tahiri.