Ish-drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, e ka quajtur paradoksale ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Gërxhaliu tha se është e pakuptueshme se si në Evropë ka ulje të inflacionit dhe të çmimeve, ndërsa në Kosovë, përkundër shumë krizave, ngritët çmimi i energjisë elektrike.
“Është paradoksale që deri sa në Evropë kemi stabilizim të inflacionit, deri sa ne Evropë kemi rënie të çmimeve të produkteve strategjike. Në Kosovë e kemi një situatë, ku përkundër inflacionit të lartë dhe përkundër pagave në sektorin privat, përkundër një krize të heshtur ekonomike që e ka kapluar Kosovën, kemi rritje të çmimeve të produkteve strategjike, në veçanti të energjisë elektrike. Lind pyetja si është e mundur që të kemi këtë rritje të çmimit të energjisë elektrike kur qoftë se ne importojmë, çmimet kanë rënë në berza ndërkombëtare”, tha ai.
Tutje, ai shtoi se është duke u eksperimentuar me ndjenjat e qytetarëve e se po cenohet standardi jetësor.
“E dyta, si është e mundur që në Kosovë të prodhohen 700 deri 840 megavat energji elektrike, kostoja e prodhimit është 31 euro dhe do të thotë një megavat i energjisë elektrike të shitet për 29 e 40. Dhe e treta, si është e mundur kur e kemi kohën kur temperaturat po bien, ku nevoja për energji elektrike është më e vogël, të kemi këtë ngritje dhe paradoksi më i madh është ku thuhet që arsyetimi i ngritjes së çmimit të energjisë elektrike është rehabilitimi i kapaciteteve prodhuese”.
“Besoj që po eksperimentohet me ndjenjat e qytetarëve, besoj që po cenohet standardi jetësor dhe në këtë drejtim besoj që duhet të ketë angazhim më të madh të akterëve që të mendohet për shtet dhe për qytetarët dhe jo vetëm për pushtet dhe për forcim të pozicionit politik”, tha ai.
Ai tha se si pasojë e ngritjes së këtyre çmimeve, sektori privat do të ketë goditje direkte, veçanërisht në sektorin prodhues dhe tek shërbimet.
Sipas Gërxhaliut, kjo ngritje do t’i kushtojë shumë Kosovës dhe “askush nuk duhet habitur që ikja është një opsion i qytetarëve”.
“Efektet e këtij çmimi apo të kësaj ngritje do të jenë të shumta, nuk duhet të analizohet vetëm në aspektin social apo në aspektin e standardit të qytetarëve. Duhet të ketë goditje direkte në edhe në ekonomin veçanti në sektorin prodhues dhe tekë shërbimet”.
“Andaj besoj që është një eksperiment i cili do të ketë një kosto shumë të shtrenjtë për Kosovën dhe për ekonominë e Kosovës. Jemi para sfidave të shumta dhe besoj një ngritje e tillë e çmimit është një indikator kyç, por e ndan aspektin ekonomik në Kosovë, e demotivon dhe demoralizon qytetarin e Kosovës dhe në këtë drejtim nuk duhet habitur që ikja është një opsion që po e zgjedhin jo vetëm të varfërit, por edhe familjaret e tjerë që e kanë një standard më të lartë dhe më të mirë për të jetuar në Kosovë”, tha ai.
/TV Arbëria