Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Gërvishtje në formë kryqi në një veturë në Istog, dyshohet se ndodhi pas pagëzimit të pronarit

Gërvishtje në formë kryqi në një veturë në Istog, dyshohet se ndodhi pas pagëzimit të pronarit

Një veturë në Istog ka marrë gërvishtje në formë kryqi , e cila dyshohet se ka ndodhur pas pagëzimit të pronarit.

“Lëvizja për Rikthim” përmes një postimi në Facebook ka thënë se pronari i veturës dhe vëllai i tij ishin pagëzuar tre muaj më parë, por siç thuhet në shkrim, ky ishte një sinjal shqetësues për familjen.

“Një incident shqetësues trondit qytetin e qetë të Istogut. Dy vëllezër, banorë të respektuar të komunës, u pagëzuan tre muaj më parë, një akt që për ta kishte domethënie të veçantë, sepse po përmbushnin amanetin e babait të tyre. Mirëpo, kohët e fundit një sinjal shqetësues i drejtohet kësaj familjeje”.

“Djali i njërit prej tyre, një djalë i ri rreth 20 vjeç, punonjës në spitalin e qytetit, pas përfundimit të orarit, përballet me një shenjë kërcënuese: në makinën e tij, në parkingun e spitalit, kishte një gërvishtje të thellë në formë kryqi. Tronditja dhe frika e kaplojnë djalin, i cili, duke ndier kërcënim të drejtpërdrejtë, shkon menjëherë në stacionin e policisë për të raportuar ngjarjen.

“Megjithëse parkingu është i mbikëqyrur me kamera, Policia e Kosovës ende nuk ka dhënë një përgjigje për këtë rast. Familja, e cila është përballur me tension dhe pasiguri, vazhdon të përjetojë ankthin e një ngjarjeje që deri tani mbetet e pazgjidhur. Dy muaj pas incidentit, policia e Istogut ofron vetëm ngushëllime, ndërsa përgjigjja që ata presin mbetet pezull, duke lënë familjen të pasigurt dhe qytetin në ankth. Ky rast ngre alarmin për mungesën e reagimit dhe nevojën e një përgjigjeje të shpejtë”, thuhet tutje në njoftimin e “Lëvizjes për Rikthim”.