Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Gërvalla takohet me homologen japoneze, tregon se çka diskutuan

Gërvalla takohet me homologen japoneze, tregon se çka diskutuan

MPJD ka njoftuar se sot ka mbërritur në një vizitë zyrtare në Kosovë Ministrja e Punëve të Jashtme të Japonisë, znj. Yoko Kamikaëa.

Përmes një postimi në Facebook, MPJD thotë se kjo është vizita e parë zyrtare e kryediplomates japoneze në historinë e Kosovës së pavarur,

Në takimin e realizuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Zëvendëskryeministrja Gërvalla vlerësoi se kjo vizitë e parë e një ministri të jashtëm të Japonisë në Kosovë është një moment historik në zhvillimin dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve tona ndërshtetërore.

“Znj. Gërvalla njoftoi znj. Kamikaëa me të arriturat e Kosovës në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit, lirive civile dhe të drejtave politike. Ajo gjithashtu theksoi edhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik nëpër të cilin po kalon Kosova në vitet e fundit dhe u shpreh e lumtur për pjesëmarrjen e Kosovës në EXPO 2025, e cila do të organizohet në Osaka të Japonisë. Zëvendëskryeministrja Gërvalla theksoi se kjo ngjarje do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme e njohjes dhe lidhjes së bizneseve të të dyja vendeve, si domosdoshmëri e thellimit të bashkëpunimit ekonomik”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se kryediplomatet shkëmbyen informacione mbi zhvillimet e fundit në rajonet përkatëse dhe nevojën e afrimit të vendeve demokratike, veçanërisht në kontekstin aktual gjeopolitik kur tendencat autokratike po rriten dhe po bëhen gjithnjë e më agresive.

“Znj. Gërvalla njoftoi znj. Kamikaëa mbi veprimet destabilizuese të Serbisë në rajon, duke përfshirë edhe rastin e agresionit të Serbisë në Kosovë nëpërmjet sulmit terrorist të 24 shtatorit, dhe vështirësitë e procesit të dialogut në Bruksel si rezultat i kësaj qasje të Beogradit”.

Në përfundim, Zëvendëskryeministrja Gërvalla falënderoi ministren Kamikaëa për mbështetjen e vazhdueshme që Japonia i ka dhënë Kosovës në fusha të ndryshme, si ndërtimin e institucioneve pas luftës së fundit dhe mbështetjen në arenën ndërkombëtare pas shpalljes së pavarësisë.