Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se Kosova po punon që të dobësojë narrativet e Serbisë kundër Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ajo ka thënë se Serbia ka bërë shantazhe e kërcënime sa herë që Kosova ka aplikuar në ndonjë organizatë ndërkombëtare, dhe sipas saj, as tani nuk është duke ndodhur diçka tjetër.
Gërvalla ka raportuar në Komisionin për Punë të Jashtme, ku është përballur me pyetjet e deputetëve rreth zhvillimeve në politikën e jashtme.
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi është shprehur i pakënaqur me organizmin e konferencës së ambasadorëve për çka ka thënë se duhet të ketë një reflektim sa i përket nivelit të bashkëpunimit të ministrisë me komisionin.
Abazi: Duhet ketë bashkëbisedim dhe kohezion në mes të ministrisë dhe komisionit
“Pa dashur të thellohem tutje besoj që duhet të bëhet një reflektim qoftë edhe nëse ka arsye personale për një qasje të tillë sa i përket bashkëdyzimit dhe përplasjes në mënyrë konstruktive të ideve. Sigurisht iu kujtohet një deklaratën në korridor të parlamentit ku ju keni qenë e bindur që nuk do të ndodhë sulmi rus në Ukrainë, edhe pse ka qenë joformale mendoj që ka mundur me u kthy në nivelin e diskutimit në shumë nivel më konstruktiv. Kam bërë përpjekje të bisedojmë për qasjen tonë ndaj Spanjës që është i vetmi shtet që vazhdon të jetë më i vështiri sa i përket njohjes, nuk kemi arrit të lidhemi, sigurisht për shkak të agjendës së ngjeshur”, ka thënë Abazi.
E Gërvalla ka thënë se në raportim nuk ndodhet për të diskutuar rreth bisedave të bëra në korridore.
Gërvalla: Nuk jam në komision për të komentuar deklarata të korridoreve
“Sa i përket bisedave nëpër korridore më vjen shumë keq por nuk jam në komisionin për politikë të jashtme për të komentuar deklarata të korridoreve dhe do të duhej që këtu në këtë mes të bisedonim për bisedat publike që i kemi bërë këtu dhe jo bisedat që i kemi bërë korridoreve sepse korridoreve njeriu bën shumë biseda të ndryshme, kemi bërë edhe biseda të tjera korridoreve dhe jo vetëm këtë që ngritët ju në pah që mua nuk më kujtohet”, ka thënë Gërvalla.
Kryetari i Komisionit gjithashtu ka pyetur ministren se cila është strategjia e Kosovës si përgjigje ndaj fushatës së Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.
Sipas tij, Serbia është duke bërë lobim e bullizim me anëtarët e Këshillit të Evropës duke përdorur pozitën e saj dhe kërcënuar Islandën me sabotim të samitit që pritet të mbahet në muajin maj.
Lidhur me këtë, Gërvalla ka thënë se Serbia po vepron siç ka bërë çdoherë kur Kosova ka ndërmarrë iniciativa për aplikime në organizata ndërkombëtare.
Gërvalla: Po punojmë për t’i dobësuar narrativat e Serbisë që po i bën kundër Kosovës në Këshillin e Evropës
“Që ditën e parë kur kemi hapur bisedën me partnerët tanë për anëtarësim në Këshill të Evropës na është qartësuar që Serbia do të kundërshtojë fort kërkesën tonë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, madje ka pasur kërcënime pasi kemi dorëzuar kërkesën tonë që Serbia do të largohet nga Këshilli i Evropës…Unë e di që flitet nëpër korridore të Këshillit të Evropës që Serbia mund të kërcënojë me largim në momentin që Islandës i nevojitet njëfarë uniteti rreth samitit në maj por për këtë punë jemi aty me qëllim që t’i dobësojmë këto narrativa, që të bindim partnerët tanë që Serbia, nuk është hera e parë në Këshillin e Evropës, por në përgjithësi Kosova sa herë ka aplikuar në ndonjë organizatë ndërkombëtare, Serbia me kërcënime, me shantazhe, me gënjeshtra, në forma të ndryshme është mundur ta pengojë, asgjë tjetër nuk është duke ndodhur tani”, ka thënë ajo.
Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi ka kritikuar ministren, sipas saj, se nuk ka bërë asnjë avancim të mundshëm të paktën të ndalësh Spanjën që mos të dal kundër aplikimit në BE.
Musliu-Shoshi: Është dashur të ketë lobime te shtetet mosnjohëse që të mos deklarohen publikisht kundër aplikimit të Kosovës në BE
“Aplikimi në BE është krejt simbolik, prapë që nga viti 2012 t’i ke pesë vende të cilat nuk e njohin, në fjalimin tim në seancën e kuvendit para se të dorëzohet aplikimi ta kam përmend pikërisht Spanjën ,që Spanja ka me qenë shteti i cili do të dalë kundër dhe do të përdorë veton kundër Kosovës, dhe ti nuk e ke bërë asnjë avancim të mundshëm të paktën të ndalësh Spanjën që të deklarohet publikisht, të keni aq marrëdhënie diplomatike me Spanjën bilaterale dhe të fshehtë me Spanjën që Spanja të paktën 24 orë, pasi të dorëzohet aplikimi të mos dalë kundër, të mos deklarohet që është kundër sepse vetëm me një veto që është kundër nuk ke mundësi të anëtarësohesh. Dhe ju është dashur të keni një lobim të shtetet jo njohëse që të paktën të mos kenë deklarime kundër aplikimit të republikës sonë”, ka thënë ajo.
Ndërsa, deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj ka pyetur ministren rreth
Kadrijaj-Gërvallës: Keni pranuar të gjobiteni vetëm që të mos i publikoni shpenzimet e burrit të presidentes
“Nuk u keni lejuar mediave dhe organizatave të ndryshme qasjen në dokumente zyrtare gjë që ministria juaj është gjobitur. Është rasti i burrit të presidentes, Prindon Sadriu. Si keni lejuar që të dëmtohet buxheti për mos-qasje sepse ju e dini që krejt zyrtarët e kanë të lejuar të kenë qasje në dokumentet zyrtare dhe tash ju e keni pranuar të gjobiteni vetëm e vetëm të mos i bëni publike shpenzimet e burrit të presidentes”, ka thënë Kadrijaj.
E sipas Gërvallës, kjo është një temë e vjetër tashmë.
Gërvalla: Me gjobitjen e Ministrisë së Jashtme nuk është dëmtuar buxheti i shtetit
“Teza që është dëmtuar buxheti i shtetit me këtë nuk është e vërtete sepse ato para nga buxheti kanë shkuar në buxhet, pra nga dora publike kanë shkuar në dorë publike, natyrisht është dëmtuar ministria e punëve të jashtme pro përsëri ën buxhet të shtetit kanë shkuar ato. Unë nuk e arsyetova, unë e pranova siç e kam pranuar deri tani 15 herë që jemi vonuar, për vonesën që kemi pasur jemi gjobitur ndërkohë të dhënat janë shpërndarë”, ka thënë ajo. /TV Arbëria