Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Gërvalla për Asociacionin: Ky rajon mjaft e ka një Republikë Serbe, s’ka nevojë për një të dytë

Gërvalla për Asociacionin: Ky rajon mjaft e ka një Republikë Serbe, s’ka nevojë për një të dytë

Ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grlic Radman, ka thënë se modeli kroat për të drejtat e pakicave mund të shërbejë si shembull edhe për Kosovën.

Në vizitën e sotme të tij në Kosovë, pas takimit me ministren për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, ai tha se ky model iu vlerësua Kroacisë gjatë anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, Rodman shtoi se ka modele të ndryshme në botë për të drejtat e pakicave që mund të shfrytëzohen.

“Ky model është promovuar përmes ligjit kushtetues për të drejtat e pakicës dhe është i suksesshëm si i tillë. Ndoshta mund të shërbejë si një shembull. Natyrisht se ishte i vlerësuar në lidhje me anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian. Ky model ka rezultuar me sukses tek ne, por të gjithë ata që dëshirojnë eksitojnë modele të shumta në botë, që mund të shfrytëzohet. Ndoshta nuk janë të suksesshme në disa situata, kjo është çështje tjetër, po ashtu sa mund të zbatohen në sisteme të tjera varet nga shtetet”, tha ai.

Ndërkaq, ministrja Gërvalla, nënvizoi se asnjë lloj asociacioni apo mekanizmi nuk mund të zbatohet në Kosovë nëse shkelet Kushtetuta, sovraniteti dhe funksionaliteti i vendit.

Ajo tha se disa prej modeleve që iu janë paraqitur nga ndërmjetësuesi i dialogut, Miroslav Lajçak nuk vijnë në shprehje, pasi shkelin vijat e kuqe të Kosovës që ka në dialog. Përkitazi me këtë, kryediplomatja kosovare theksoi se në rajon nuk ka nevojë për një Republikë Serbe të dytë, pas asaj në Bosnjë dhe Hercegovinë.

“Në vazhdimësi të procesit të dialogut nga ndërmjetësuesi Lajçak janë prezantuar disa modele evropiane si shembuj të mirë se si mund të rregullohen çështjet e pakicave apo minoriteteve në një vend. Të gjitha modelet që kemi trajtuar kemi konstatuar se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, minoriteteve të veta iu jep më shumë të drejta se të gjitha modelet që kemi parë. Qoftë përfaqësimi në parlament, në nivelin lokal, madje edhe prezenca e vazhdueshme e pakicës serbe në kabinetin qeveritar është një element unik që ia jep Kushtetuta. Ne i kemi trajtuar modelet i kemi parë cilat janë ato, të cilat nuk vijnë në shprehje pasi shkelin vijat e kuqe që kemi në këtë dialog. Asnjë lloj formacioni, asociacioni apo mekanizmi nuk mund të implementohet në Kosovë nëse shkel sovranitetin e vendit, kushtetutën e vendit dhe funksionalitetin e Kosovës. Këto tre elemente janë bazë për funksionimin e një shteti. Çfarë kemi parë në Bosnje dhe Hercegovinë me Republikën Serbe të instaluar atje, një bllokim të tërësishëm të funksionimit të shtetit nuk ka për të ndodhur në Kosovë. Ky rajon mjaft e ka një Republikë serbe, nuk ka nevojë për një të dytë. Prandaj modelet që janë paraqitur paraqesin elemente të pranueshme në suazat e rregullimit tonë kushtetues dhe prej tyre do të përpiqemi të zgjedhim elementet më të mira”, theksoi Gërvalla.

Krahas këtyre, në konferencën e përbashkët për medie, kryediplomati kroat mirëpriti avancimin e dialogut Kosovë-Serbi, veçmas theksoi rëndësinë e nënshkrimit të deklaratës për të zhdukurit.

“Përshëndesim marrëveshjen e fundit të Kosovës dhe Serbisë për personat e zhdukur. Kroacia ka mirëkuptim të madh, lidhur me personat e zhdukur dhe shpresojmë që kjo do të sjell avancimin apo zgjidhjen e të gjitha problemeve për personat e zhdukur, e cila po zgjatë se 20 vite. Sa i përket Kroacisë ne që 30 vite jemi duke kërkuar më shumë se 3000 mijë persona të zhdukur. Kemi theksuar gjithmonë se personat e zhdukur janë kyçe për përmirësimin e marrëdhënieve të popujve dhe shteteve”, tha ai.

Në anën tjetër, ai shprehu mbështetjen edhe për aspiratat euro-integruese të Kosovës, gjë për të cilën e falënderoi edhe ministrja Gërvalla.

E pyetur nga gazetarët, ministrja Gërvalla foli për çështjen e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili akuzohej për përfshirje në një skandal financiar për tregtim të energjisë elektrike.

“Në marrëveshje edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme, ambasadori Berishaj i ka dhënë përgjigjet e tij në komisionin parlamentar ku është dashur të japë deklaratën e tij. E kam ndjekur me shumë vëmendje atë seancë të komisionit parlamentar, asnjë pyetje nuk ka mbetur pa përgjigje në atë seancë të komisionit parlamentar, edhe e kam parë miratimin e anëtarëve të komisionit të deklaratave të ambasadorit Berishaj gjatë asaj seance. Prandaj më habit shumë fakti që pa pritur e pa kujtuar muaj më vonë, të njëjtit persona që kanë qenë të pranishëm në atë seancë dhe që kanë pohuar dhe tundur kokën për secilën prej deklaratave të ambasadorit Berishaj më pas dalin dhe deklarojnë diçka krejt tjetër për një seancë të cilën e kemi parë të gjithë publikisht”, tha ajo.

Kryediplomati kroat ka ardhur në Kosovë me rastin e regjistrimit të parë zyrtar të diasporës kroate në Janjevë.

Pas konferencës të përbashkët dy kryediplomatët shkuan në këtë fshat të Kosovës në të cilin jetojnë rreth 150 kroatë.

/TV Arbëria