Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është shprehur optimiste se gjatë vitit 2023 Kosova do të bëhet pjesë e Partneritet për Paqe, që është parakusht për anëtarësim në NATO.
Gjatë raportimit para deputetëve të Komisionit për Punë të Jashtme, ajo ka përmendur edhe aplikimin e Kosovës në Bashkim Evropian për çka ka thënë se ky proces bartë sfida të mëdha por ka shtuar se një veprim i tillë është ndërmarrë pas konsultimeve të mira me aleatët e shtetit.
Gërvalla: Shpresojmë që fundi i vitit 2023 Kosovën ta zërë si anëtare e Partneritetit për Paqe
“Sa i përket organizatës Partneriteti për Paqe, nuk është që është ide origjinale e vetëm e jona, por është edhe rekomandim i partnerëve tanë ndërkombëtar, i cili po ashtu bartë sfida sepse si në Bashkimin Evropian ashtu edhe në Partneritetin për Paqe por edhe në Këshillin e Evropës kemi shtete që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës dhe secila prej fazave kërkon lobim të jashtëzakonshëm, kërkon shumë punë dhe kërkon shumëfish më tepër punë që u është dashur shteteve fqinjëve në të njëjtën rrugë kur kanë vendosur ta ndjekin. Personalisht jam shumë optimiste për vitin 2023 dhe Partneritetin për Paqe pa dashur të them më shumë fjalë sesa që do të mund t’i mbaja në fund, ne do të punojmë me po kaq përkushtim edhe në këtë sferë sa kemi punuar edhe për anëtarësime të tjera dhe shpresojmë që fundi i vitit 2023 Kosovën ta zërë si anëtare e Partneritetit për Paqe, me qëllim që të jetë edhe më e qartë rruga që Kosova do të ndjek rreth anëtarësimit në NATO”, ka thënë Gërvalla.
Para deputetëve, Gërvalla ka folur edhe për aplikimin në Këshillin e Evropës që sipas saj ekziston përkrahje e madhe politike.
Gërvalla: Për anëtarësim në Këshillin e Evropës ekziston përkrahje e madhe politike
“Sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës, po them shumë shkurt, kemi kaluar disa etapa të rëndësishme sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës, është opinioni ligjor i cili është miratuar në vjeshtën e këtij viti, ka një raport rreth situatës së të drejtave të njeriut nga komisioni përkatës në Këshillin e Evropës, është duke u përgatitur raporti vjetor për Kosovën nga ana e raportueses, prandaj faza kur Kosova do të kalojë nga këshilli ministror në Asamblenë Paralajmëtare të Këshillin e Evropës është afruar shumë, ne po shpresojmë që në takimet e ardhshme do të jetë në agjendë, të vihet në agjendë çështja e Kosovës me qëllim që më në fund asambleja parlamentare e këshillit të Evropës të fillojë të merret me çështjen tonë. Të dimë edhe ne saktë cilat janë pritjet, cilat janë obligimet të cilat duhet t’i përmbushim me qëllim që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, aty ku e ka vendin. Përkrahja politike është e madhe, votat janë siguruar, kështu që shpresojmë që ky hapi teknik që duhet të ndodh të ndodh sa më shpejtë meqenëse nuk ka çfarë të pritet më në atë drejtim”, ka thënë ajo.
Ndërsa lidhur me faktin që nuk është arritur të sigurohet asnjë njohje e re, Gërvalla ka thënë se qeveria ka punuar në këtë drejtim por është përqendruar më shumë në sigurimin e njohjeve nga vendet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë pranuar Kosovën.
Ajo ka theksuar se fushata e Serbisë për çnjohje nuk ka pasur sukses.
Gërvalla: Fushata e Serbisë për çnjohje nuk ka pasur sukses
“Sa i përket njohjeve të reja, natyrisht që në aspektin teknik nuk kemi asnjë njohje të re në tavolinë por kemi lëvizje të shumta me shtete të ndryshme me të cilat nuk ka pasur asnjë lloj bashkëpunimi me republikën e Kosovës, nuk kam nevojë këtu publikisht t’i shpërfaq hapat të cilët ndjekim sepse jam e sigurt që ju jeni gjatë në politikën e Kosovës dhe i njohin ofertat që mund të bëjmë, edhe ofertat për bashkëpunim që nuk janë patjetër njohje por janë mundësi të tjera bashkëpunimi në fusha të ndryshme. Ka pasur një fushatë nga ana e Serbisë për çnjohje por nuk kemi asnjë informacion që kjo fushatë të ketë pasur sukses në ndonjërin nga shtetet të cilat janë adresuar nga Serbia. Përpjekjet kanë qenë të shumta duke filluar nga dhënia e armatimit rus, nga vaksinat, nga produktet të ndryshëm ushqimore, ndihma humanitare e të tjerë, ne kemi kontaktuar secilin prej shteteve të cilët kemi supozuar që mund të jenë në atë listë dhe rezultati është që ajo fushatë ka qenë e pasuksesshme”, ka thënë ajo.
Mbledhja e komisionit po vazhdon me pyetjet e deputetëve për ministren e Jashtme.
/TV Arbëria