Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Gërvalla optimiste për anëtarësim në KiE: Kosova ka siguruar votat

Gërvalla optimiste për anëtarësim në KiE: Kosova ka siguruar votat

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është shprehur optimiste për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, brenda disa muajve. Ajo ka thënë se votat për anëtarësim i kanë siguruar dhe nuk duhet të kalojë edhe shumë kohë që aplikacioni i Kosovës të kalojë nga Komiteti i Ministrave në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Kryediplomatja kosovare gjatë raportimit të premten në Komisionin parlamentar për punë të jashtme, tha se janë duke punuar intensivishtpërforcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, anëtarësimin në organizata të tjera ndërkombëtare, si dhe sigurimin e njohjeve të reja.

Gërvalla: Kemi siguruar votat për anëtarësim në Këshill të Evropës

“Në Këshillin e Evropës që nga maji i vitit 2022 kur kemi dorëzuar kërkesën tonë ka pasur lëvizje lidhur me kërkesën tonë. Është një opinion ligjor që është prezantuar në tetor të vitit të kaluar, i cili ka hequr dilemat rreth asaj se a shkel rregullat e brendshme të KiE aplikimi ynë. Ka pasur një raportim që është kërkuar nga Komiteti Ministror i cili në Strasburg përfaqësohet nga ambasadorët e shteteve anëtare për të drejtat e njeriut në Kosovë, i cili po ashtu ka qenë pozitiv për ne. Ka pasur konsultime të ndryshme të Presidencës së Këshillit të Evropës me shtete të ndryshme, duke përfshirë edhe shtetet jo njohëse. Çfarë ka ndodhur ndërkohë është se askush nuk ka dilemë që votat i kemi të siguruara, kjo ka qenë sfida kryesore që partnerët tanë kanë menduar se do të jetë më e madhja, sigurimi i votave të nevojshme për të pranuar kërkesën tonë. Votat janë siguruar dhe unë mendoj që nuk duhet të kalojë edhe shumë kohë, pasi janë shterur të gjitha procedurat për të kaluar kërkesën tonë nga Komiteti Ministror tek Asambleja Parlamentare e KiE”, tha ajo.

Madje, ministrja Gërvalla tha se pret që Greqia shumë shpejtë të lëvizë drejtë njohjes së Kosovës.

Gërvalla: Greqia pres që së shpejti të lëvizë drejtë njohjes së Kosovës

“Me Greqinë kemi marrëdhënie jashtëzakonisht të mira. Unë shumë shpresoj dhe pres që Greqia së shpejti mund të lëvizë drejt njohjes. Nuk shoh më asnjë lloj dileme në atë se a janë shtete partnere Greqia dhe Republika e Kosovës, por natyrisht ne nuk mund të imponojmë vullnetin asnjë shteti të pavarur sovran”, tha ajo.

Ndërkohë, theksoi se gjitha pretendimet e Serbisë për ç’njohje të pavarësisë së Kosovës po demantohen një nga një.

Gërvalla: Të gjitha pretendimet për ç’njohje po demantohen një nga një

“Sa i përket të fushatës së ç’njohjeve unë nuk e di se çfarë flet Daqiç, natyrisht se lexoj se çka flet ai. Por të gjitha pretendimet e tyre janë demantuar një nga një nga të gjitha shtetet që ata i kanë përmendur. Kjo është puna jonë. Puna jonë nuk është të japim deklarata publike, të flasim me gazeta por të bëjmë hyzmetin që pretendimet e Serbisë mos të materializohen në ç’njohje reale. Po punojmë në secilën prej shteteve që Serbia pretendon për ç’njohje, deri tani nuk ka tendencë për atë drejtim, pavarësisht çka thotë Daçiq”, theksoi Gërvalla.

Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ngriti si shqetësim që ambasadat e Kosovës nëpër vendet perëndimore janë shndërruar në ambasada biznesi me dokumente personale, si dhe më shërbime që ofrojnë për azilantët që sipas tij, rrejshëm kërkojnë azil politik.

Por këto i mohoi ministrja Gërvalla, e cila tha ambasadat nuk merren me biznes, por me nxitje të bizneseve të huaja për të rritur numrin e investimeve të huaja në Kosovë.

Kjo nxiti më shumë tensione në mbledhjen e komisionit, ku deputeti Haliti insistonte në marrjen e sërishme të fjalës, pasi sipas tij, ministrja po i paraqet si të arritura të paarriturat.

Haliti: Unë do të flas, ministrja po i paraqet të arriturat e paarritura

“Unë kam drejtë me fol, pasi kjo po vazhdon në konferencë për medie. Nëse po vazhdon në konferencë për medie me pasqyruar të arriturat e paarritura, atëherë është në rregull. Por ne jemi këtu për me dëshmuar që ka të arritura apo s’ka të arritura. Ato të arritura që janë në rregull, e mbështeti, por unë i kam dy probleme që dua t’i diskutojë me ministren dhe askënd tjetër”, tha ai.

Polemika ndërmjet ministres dhe deputetëve opozitarë pati edhe kur deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e pyeti për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Ministrja Gërvalla tha se gjitha raportimet për ambasadorin Berishaj janë të pavërteta, derisa akuzoi opozitë se po bënë fushatë të paparë kundër tij.

Gërvalla: Raportimet ndaj ambasadorit Berishaj të pavërteta

Sa i përket ambasadorit Berishaj, ju që më shumë bërtisni e dini shumë mirë se çfarë padrejtësie ndaj ambasadorit Berishaj është dhe sa shumë gënjeni kur pretendoni që nuk e dini që asnjë prej akuzave (nuk janë të vërteta). Nuk janë mediat rajonale dhe të huaja, është një medium që merret me këtë çështje i cili përtypet dhe ripërtypet këtu. Unë jam shumë kureshtare t’iu shoh në fund nëse a do të skuqeni apo jo që keni filluar fushata të papara kundër një personi me integritet”, tha Gërvalla.

Krahas këtyre, ministrja Gërvalla tha para deputetëve se fokusi kryesor i Kosovës është anëtarësimi në NATO.

/TV Arbëria

Powered by WordPress