Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Gërvalla në Këshill të Sigurimit shfaq fotografinë e Gjuriqit duke pirë kafe me kriminelin Milan Radoiçiq

Gërvalla në Këshill të Sigurimit shfaq fotografinë e Gjuriqit duke pirë kafe me kriminelin Milan Radoiçiq

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit ka shfaqur një fotografi të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq nga takimi tij më kriminelin e veriut, Milan Radoiciq, organizator i sulmit terrorit në Banjskë më 24 shtator të vitit 2023.

Gërvalla para anëtarëve të KS të OKB-së ka shfaqur një fotografi nga ky takim.

Ajo ka kërkuar me këtë rast edhe ekstradimin e Radoiciqit.

Gërvalla ka thënë se janë të pavërteta pretendimet e Serbisë për diskriminimin e qytetarëve serbë të Kosovës.

“Dora e zgjatur e Putinit, Vuçiq vazhdon të mbrojë kriminelët që udhëhoqën sulmet paramilitare të Serbisë më 24 shtator të vitit të kaluar. Lideri i tyre Milan Radoiciq, njëri prej njerëzve më të pasur e më brutal në Serbi, jo i pasur duke trashëguar pasuri nga prindërit e tij, por me anë të krimit. Është angazhuar edhe në vrasjen e qytetarëve serb të Kosovës. Kosova kërkon ekstradimin e tij. Ai është përgjegjës për vrasjen e zyrtarit tonë policor dhe heroit tonë kombëtar toger Afrim Bunjaku. Këtë z.Gjuriq e din mirë nga vitet e tij të shumta si dorë e zgjatur e Vuçiqit gjatë viteve 2013-2020.”, tha Gërvalla.

Ajo tha se Gjuriq dhe Radoiçiq ishin aleatë në shtypjen e qytetarëve serbë të ndershëm që donin jetë normale.

“Gjuriqi ishte kryesori kur Radoiciqi u angazhua në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq dhe Gjuriqi takohej me të, tash së voni duke pirë kafe ne Beograd. Kjo tregon llojin dhe karakterin e atyre me të cilët ballafaqohemi. Kjo tregon kush këtu është në rregull me të pirit kafe me një vrasës brutal. Ky është Radoiciqi e ky është ministri o jashtëm Gjuriq. “, u shpreh ajo.

Gërvalla duke folur për sulmin e 24 shtatorit tha se ai ishte një sulm i Serbisë, dhe ishte planifikuar si sulm ushtarak dhe invasion mbi një vend paqësor.

“Ky ishte sulmi i parë i aleancës së Putinit ndaj një vendi me prezencë të NATO’s.”, u shpreh ajo.

Gërvalla tha se Serbia nuk është e interesuar për Dialog.

“Kur Vuçiqi e Gjuriqi thonë dialog nuk e kanë në mendje këtë ata thjeshtë dëshirojnë të shaktërrojnë Republikën e pavarur të Kosovës.” ka thënë Gërvalla.

Gjuriq, që foli para Gërvallës, ka vazhduar propagandën se në Kosovë “regjimi i Albin Kurtit” po ushtron dhunë ndaj serbëve të rëndomtë.

“Siç është theksuar në një numër raportesh nga OKB-ja në dy vitet e fundit situata në Kosovë është përkeqësuar nga masë të konsiderueshme me shkelje të të drejtave të njeriut dhe veprime të njëanshme nga regjimi i Albin Kurtit, duke krijuar një regjim të frikës. Këtu dua të jap disa detaje të disa veprimeve të tilla kundër komunitetit serb dhe që të bëj thirrje për veprim vendimtar të shpejtë dhe pyetja reale për këtë Këshill është: a do të qëndrojmë anash derisa njerëzit e rëndomtë, të pafajshëm vuajnë apo do të bëjmë, do të ndërmarrim hapa vendimtarë”, tha ai derisa përmendi ngjarjet e 2004-ës, për të cilat tha se “28 të pafajshëm ishin vrarë dhe 1000 ishin plagosur, ishte vala e dytë e spastrimit etnik e serbëve, duke e pasuar atë të vitit 1999”.

“E tashmja e padurueshme që është instaluar nga regjimi i Albin Kurtit që prej kthimit të Albin Kurtit në pushtet, administrata e tij në mënyrë sistematike e ka intensifikuar masat për izolim dhe margjinalizim të komunitetit serb. Imagjinojeni nëse valuta e juaj do të ndalohej një ditë, pensionet të hiqen, asistenca sociale të largohet. Për serbët në Kosovë kjo nuk është hipotetike, kjo është saktësisht realitet që ata ballafaqohen në Kosovë sot. Në shtator të këtij viti, Policia Speciale ka bastisur zyrat e bankave dhe postës, duke paralizuar të drejtat themelore si regjistrimi i lindjes apo qasja në ndihma sociale. Dhuna ndaj serbëve është përshkallëzuar në masë të madhe në vitin 2024, mbi 90 sulme me shënjestër specifike individët dhe pronat serbe me asnjë kryes që del para drejtësisë. Incidente të tmerrshme me fëmijë kanë tronditur komunitetet tona. Posaçërisht tash së voni një fëmijë është sulmuar nga një burrë me thikë që shënon sulmin e 16-të që prej pushtetit të Albin Kurtit. Sa sulme të tilla duhet të presim para se të ndërmarrim veprime?”, ka thënë ai.

Këtyre pretendimeve të Gjuriqit i është përgjigjur Gërvalla, e cila iu drejtua të pranishmëve që të mos besojnë “gënjeshtra të çmendura” që i tha Gjuriq.

Ajo tha se për një dekadë në Kosovë ka vepruar një pushtet i jashtëligjshëm serb.

“Shumica prej jush keni ambasada në Kosovë që ju konfirmojnë se asnjë nga këto deklarata të Gjuriq nuk janë të vërteta. Të jemi të qartë të mos e besojmë asnjë gënjeshtër të tillë të çmendur që qytetarët e Kosovës nuk paskan qasje në shëndetësi, llogari bankare apo shërbime lokale. Kemi shumë qytetarë serbë në komunat veriore të Republikës së Kosovës që na thonë me kënaqësi që përfundimisht kanë arritur të marrin frymë lirshëm, pa frikë mund të arrijë t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në komunë pas aq shumë vitesh”.

“Ky pushtet serb i paligjshëm të ketë sunduar në territorin tënd e institucionet e paligjshme serbe të kenë përbërë një dekadë të plotë të shkeljes vulgare të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 e që Serbia e ka shkelë gjatë gjithë kohës”.

Në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), po mbahet seanca e radhës e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku është duke u shqyrtuar raporti i ri gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për punën e UNMIK-ut në Kosovë.

Në raportin e fundit të UNMIK-ut, i cili mbulon aktivitetet dhe zhvillimet në Kosovë, duke filluar nga data 16 mars deri më 15 shtator 2024, thuhet se situata në pjesën veriore të territorit kosovar të banuar me shumicë serbe mbetet e tensionuar, kurse potenciali për përshkallëzim të mëtejmë të tensioneve vazhdon të mbetet i lartë.

Autoritetet e Kosovës që nga fillimi i vitit 2024 kanë mbyllur disa institucione paralele të Serbisë, krahas largimit të dinarit. Por, lëvizjet janë kundërshtuar nga serbët lokalë dhe një pjesë e komunitetit ndërkombëtar. Gjithashtu, tensionet janë rritur edhe më shumë pas paralajmërime për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

E në raportin e UNMIK-ut është thënë se “veprimet e njëanshme” mund t’i rrisin tensionet dhe të gërryejnë besimin midis komuniteteve dhe institucioneve. Gjithashtu, raporti bën thirrje që Kosova dhe Serbia të rikonfirmojnë angazhimin e tyre në dialogun për normalizimin e raporteve dhe zbatimin e plotë të marrëveshjeve.

“Për më tepër, bëj thirrje për lidership të përgjegjshëm që i jep prioritet mirëqenies dhe të drejtave të njeriut të të gjithë njerëzve në Kosovë. Është e rëndësishme që veprimet e liderëve politikë të reflektojnë një përkushtim për të adresuar nevojat dhe të drejtat e të gjitha komuniteteve”, thuhet në raportin gjashtëmujor të shefes së UNMIK-ut.

Në raport përmendet edhe sulmi terrorist i paramilitarëve serbë në fshatin Banjskë të Zveçanit në shtator 2023, i cili është cilësuar “incident i rëndë i sigurisë” që nënvizon nevojën urgjente që palët të bashkëpunojnë në vënien para drejtësisë të autorëve: “Kjo është thelbësore për rivendosjen e besimit dhe sigurimin e stabilitetit afatgjatë”.

Seanca e fundit e OKB-së për Kosovën ishte mbajtur më 22 prill, në të cilën Kosova ishte përfaqësuar nga presidentja Vjosa Osmani ndërsa Serbia nga presidenti, Aleksandar Vuçiq.

Powered by WordPress