Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në kuadër të vizitës në Emiratet e Bashkuara Arabe, sot u takua me kryesuesin e Odës së Ekonomisë dhe Tregtisë të Abu Dhabit, me të cilin diskutoi gjerësisht për mundësi bashkëpunimi dhe investimi në industri të ndryshme në Kosovë.
Gërvalla e njoftoi delegacionin pritës rreth potencialit të jashtëzakonshëm që qytetarët e Republikës së Kosovës po e ofrojnë përmes punës së mrekullueshme në shumë sektorë. Ajo, siç informoi ministria, theksoi nevojën për thellim të bashkëpunimit mes sektorit privat në bashkëpunim me qeveritë e të dy vendeve si ndërmjetësuese dhe fuqizuese të investimeve të reja.
Po ashtu, siç u potencua, Gërvalla u informua rreth pritjeve dhe detajeve të vyera, në mënyrë që të hidhen hapa konkret dhe të pavonuar përmes ekipeve të dedikuara për konkretizim të ideve.
Ministrja Gërvalla, tutje shprehu gatishmërinë e madhe që Republika dhe qytetarët e Kosovës kanë për të punuar së bashku në ngritjen e kapaciteteve dhe nivelit të ekonomisë e tregtisë. /TV Arbëria