Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Gërvalla-Fetait: Sigurimi i aeroportit ka pasur sjellje të pahijshme karshi delegacioneve të larta të Kosovës në mënyrë të përsëritur

Gërvalla-Fetait: Sigurimi i aeroportit ka pasur sjellje të pahijshme karshi delegacioneve të larta të Kosovës në mënyrë të përsëritur

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, është takuar sot në Prishtinë me Kryediplomaten Donika Gërvallën, me të cilën ka folur lidhur me incidentin e djeshëm në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi Presidentja Vjosa Osmani.

Fetai ka thënë se e ka informuar Gërvallën se institucionet maqedonase janë duke i kryer hetimet e nevojshme dhe se do të ketë përgjegjësi për çdo shkelje që do të mund të konstatohet nga incizimet e kamerave të aeroportit. Sipas tij, Gërvalla e ka njoftuar se personeli i sigurisë në këtë aeroport ka pasur në vazhdimësi sjellje të pahijshme karshi delegacioneve të larta të Republikës së Kosovës, shkruan Reporteri.net.

“I dëgjova shqetësimet e Ministres, e cila më njoftoi se sjellje të pahijshme karshi delegacioneve të larta të Republikës së Kosovës ka patur në mënyrë të përsëritur përgjatë viteve nga ana e personelit të sigurisë të angazhuar nga kompania në fjalë”, ka shkruar Fetiu.

Në fund, ka thënë se u pajtuan se raportet ndërshtetërore në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës janë të shkëlqyera “dhe se do të angazhohemi bashkërisht për t’i thelluar ato edhe më tej, mbi bazën e partneritetit, si shtete aleate që ndajnë vlera të përbashkëta dhe janë të lidhura ngushtë në çdo rrafsh.”.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shprehur keqardhje për incidentin që ndodhi dje në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shkruan Repoteri.net.

Në reagimin e lëshuar nga Qeveria thuhet se Ministria e Punëve të Jashtme tashmë ka kërkuar informacion nga të gjitha institucionet kompetente lidhur me ngjarjen e djeshme.

Pas analizimit të të dhënave të mbledhura, thonë se do të ndërmerren masat e nevojshme që të shmangen situate të tilla.

“Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës ruajnë marrëdhënie dhe bashkëpunim dypalësh pozitiv dhe konstruktiv, pa çështje të hapura dhe me dialog të ndershëm dhe të vazhdueshëm në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat. Në këtë kontekst, shprehim keqardhjen tonë për keqkuptimet e ndodhura gjatë udhëtimit të djeshëm të Presidentit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në aeroportin ndërkombëtar në Shkup. Theksojmë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut tashmë ka kërkuar informacion nga të gjitha institucionet kompetente lidhur me ngjarjen e djeshme. Pas një analize adekuate të të dhënave të mbledhura në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të ndërmerren të gjitha aktivitetet dhe masat e nevojshme, me qëllim kryesor shmangien e dukurive dhe situatave të tilla apo të ngjashme në të ardhmen”, thuhet në reagim.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës sot ka paraqitur notë proteste pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, lidhur me incidentin.

MPJD ka kërkuar kërkuar sqarim të menjëhershëm dhe të plotë për këtë incident.

“Njëkohësisht, është kërkuar që autoritetet maqedonase të ndërmarrin masa të menjëhershme për të hetuar këtë rast dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se Osmani u ballafaqua me një trajtim të papërshtatshëm dhe të kundërligjshëm nga ana e pjesëtarëve të sigurimit të aeroportit.

“Në lidhje me këtë incident, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka takuar ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë mbrëmë menjëherë pas incidentit dhe po ashtu edhe sot, duke kërkuar sqarime në lidhje me rastin. Gjithashtu, Ministrja Gërvalla ka realizuar sot një takim në MPJ me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, z. Arben Fetai, me të cilin kanë diskutuar rreth incidentit në fjalë dhe nevojën e ndermarrjes së veprimeve të shpejta institucionale”, theksohet në njoftim.