Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Shkatërrimi i partneritetit të Kosovës me SHBA-të, njëri nga qëllimet e Rusisë

Shkatërrimi i partneritetit të Kosovës me SHBA-të, njëri nga qëllimet e Rusisë

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Para pak dite Qendra për Analiza Politike Evropiane në raportin “Containig Russsia, Securing Europe” shkruante se njëri nga objektivat kryesore strategjike të Kremlint mbetet shkatërrimi i rendit global, minimi i konsensusit perëndimor, cenimi i insitusioneve planetare politike dhe ekonomike, si dhe zvogëlimi i kapaciteteve të SHBA-së dhe Evropës për të mirëmbajtur stabilitetin dhe demokracinë.

Natyrisht, përpos këtij mega-plani, si pjesë e arsenalit strategjik të Moskës, është edhe ushtrimi i dominimit ushtarak, politik dhe ekonomik në hapësirën post-sovjetike, duke e kufizuar sovranitetin e fqinjëve të saj, dhe duke e reduktuar aftësinë e tyre për të ndjekur politika autonome të brendshme dhe të jashtme, si dhe duke i dhënë të drejtë vetës për të ndërhyrë në mënyrë të pakufizuar. E tëra kjo me pretendimin që ta ruajë fuqinë e saj të brendshme duke i përdorur konfliktet gjeopolitike si dhe duke i mobilizuar mbështetësit e regjimit aktual  me qëllim shkrirjen e shtetit, shoqërisë dhe ekonomisë në instrumente të unifikuara të luftës.

 

Është thënë shpesh se edhe Kosova është cak i këtyre strategjive subversive ruse. Se në vazhdimësi ajo ka tentuar ta minojë progresin në Kosovë dhe po ashtu ta pengojë konsolidimin ndërkombëtar të shtetësisë, duke e mbajtur të hapur këtë vatër të konfliktit gjeopolitik në mënyrë që të dështojnë përpjekjet e SHBA-së dhe Perëndimit pwr stabilizimin e rajonit. Këtë objektiv ajo tenton ta jetësojë në forma të ndryshme. Bie fjala, kohë më parë hulumtuesit e Institutit Royal United Services [RUSI], në raportin se si “Rusia po rindërton kapacitete për të destabilizuar Evropën, shkruanin se ky shtet po i përdor edhe organizatat myslimane për të destabilizuar Kosovën. Si shembull merrej puna e “Forumi Islamik Evropian” e drejtuar nga Abdul-Wahed Niyazov. I njëjti në Federatën Ruse, konsiderohet si bashkëpunëtor i afërt i presidentit rus, Vladimir Putin, i cili prej vitit 1999 e deri në vitin 2003, ka qenë përfaqësues i partisë së Putinit në Dumën ruse.

 

Ndërkohë, në funksion të agjendës së acarimit të raporteve të Kosovës me Perëndimin në përgjithësi dhe SHBA-të në veçanti, në rol të rëndësishëm luan edhe orkestrimi i fushatave dezinformuese anti-perëndimore. Në këtë kontekst, historiani amerikan Jason Steinhauer, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka treguar se si në Kosovë, tema kryesore është të mos i besohet Shteteve të Bashkuara, të mos i besohet Evropës. Qëllimi është minimi i lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Evropës dhe natyrisht Shteteve të Bashkuara, apo në rastin e Maqedonisë së Veriut e Bullgarisë marrëdhëniet e tyre me Evropën dhe SHBA-në dhe që t’i shtyjnë këto vende të shohin më me simpati pikëpamjet e Moskës dhe në fund të fundit të mbështesin veprimet e saj, siç është rasti në Ukrainë. Pra, bëhet fjalë për një plan që përpiqet ta riorientojë këtë pjesë të botës drejt Kremlinit dhe ta largojë nga rreshtimi me aleancën transatlantike, me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën. Sipas këtij historiani, “shpesh në një shoqëri ku ka pakënaqësi, është e lehtë të kërkosh fajtorë dhe në këtë rast fajtorët janë Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe aleanca transatlantike. Është e lehtë t’i fajësosh ata për sfida shumë komplekse. Si rezultat, këto teori fitojnë peshë”.

 

Krijimi i kësaj klime depresive psikologjike, sociale dhe politike pashmangshëm se ka edhe efekte politike. Sot më shumë se kurrë shtrohet pyetja a thua në funksion të kujt ishte slogani i njohur se “Kosova është shkatërruar për më shumë se dy dekada”. Ky formulim propagandistik në mënyrë implicite e satanizon edhe SHBA-në, sepse me angazhimin në favor të shtet-ndërtimit të Kosovës, demokracisë, paqes dhe sigurisë  ka krijuar kushte për shkatërrimin e vendit mbi dy dekada.

/TV Arbëria

Themes by WordPress