Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Gratë diskutojnë për sfidat e tyre në udhëheqje: Shoqëria ka nevojë për barazi

Gratë diskutojnë për sfidat e tyre në udhëheqje: Shoqëria ka nevojë për barazi

Sfida më e madhe për gratë është që të përfshihen në vendimmarrje dhe hartim të politikave, duke përfshirë edhe vetë lobimin e tyre për fuqizimin e rolit të gruas.

Kështu u tha në tryezën e rrumbullakët “Zbatimi i Rezolutës 1325 në nivelin lokal”, në të cilën morën pjesë gra me pozita të ndryshme në politikë, për çka ndanë eksperiencat dhe vështirësitë e tyre në udhëheqje.

Ish-kryetarja e Komunë së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila foli për përvojën e saj si gruaja e parë në Kosovë që u zgjodh për ta udhëhequr një komunë, për çka përmendi disa nga përpjekjet e saj për të fuqizuar rolin e gruas në shoqëri dhe vendimmarrje.

Kusari-Lila vuri në theks rëndësinë e krijimit të mekanizmave që gratë në shoqërinë civile të jenë pjesë në vendimmarrje në nivelin lokal, ngase sipas saj, angazhimi i grave në politikë mund të bëhet vetëm duke u krijuar aleanca dhe partneritete.

Ajo derisa foli për rrugëtimin e saj si kryetare e komunës, tha se fokusi i saj, përveç tjerash  ka qenë komunikimi dhe diskutimi për evitimin e martesave të hershme në komunitetin jo shumicë.

Ndërsa, zëvendëskryetarja në Komunën e Mitrovicës së Veriut, Katarina Adjançiq tregoi për punën e suksesshme që gratë po e kryejnë në drejtoritë përkatëse të kësaj komunë.

 

Ajo tha se nga shtatë drejtori sa ka Komuna e Mitrovicës së Veriut, katër nga to udhëhiqen nga gra me përvojë.

Adjançiq tha se për këtë vit, fokusi kryesor është në investimet kapitale, duke përfshirë rregullimin e sipërfaqeve publike në qytet dhe subvencionet.

Ndër të tjera, Adjançq vuri në theks nevojën urgjente për rihapjen e shtëpisë së sigurisë për viktimat e dhunës në familje, për çka tha se po punohet në këtë drejtim.

Ish-kryetarja e Komunës së Tetovës dhe njëkohësisht deputetja e parë shqiptare që arriti të zgjidhet në parlamentin e Maqedonisë, Teuta Arifi tha se sfida e saj kryesore ka qenë që t’i fuqizojë sa më shumë gratë, në mënyrë që ato të mund të jenë pjesë e politikbërjes dhe pozitave vendimmarrëse.

 

Arifi tha se si rezultat i një marrëveshjeje politike, ajo bashkë me disa gra të tjera deputete arritën 40 përqindëshin e parlamentit, gjë për të cilën thotë se ndihet krenare.

Ajo tha se shoqëria ka nevojë për barazi.

 

Ndërkaq, anëtarja e Grupit të Grave Deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Eliza Hoxha tha se nëse shikojmë  studimet e shumta që janë bërë në zhvillimet urbane, gratë mungojnë jo vetëm në tavolinë, por edhe në hartimin e dokumenteve zhvillimore dhe vizioneve për qytetin, për çka thotë se kur ato mungojnë edhe nevojat e tyre janë të përjashtuara.

Kjo konferencë është organizuar nga Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përmes fascilitimit të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI), nëpërmjet përkrahjes së Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Kosovë, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në Kosovë, si dhe Ambasadës Kanadeze në Kroaci dhe Kosovë.

Themes by WordPress