Para pak javësh, televizioni amerikan ABC7 publikoi një kronikë, në të cilën intervistuan të pastrehët duke marrë ndihma në një stacion të New Yorkut, e që pa dijeninë e tyre, intervistuan një grua, që do të rezultonte të ishte një figurë shumë e dashur për shqiptarët.
Bëhet fjalë për Parashqevinë Simakun, që e tash e një kohë është personazhi më i komentuar.
Gjatë një emisioni së fundmi ata diskutuan për ‘storjen’ që bëri bujë në medie shqiptare, derisa raportuan për historinë e Parashqevi Simakut.
“Një video me një akt të thjeshtë dashamirësie, është bërë tani një histori e madhe ndërkombëtare. Më 10 dhjetor, ekipi i 7 On Your Side po raportonte një bamirësi lokale duke u shpërndarë çanta shpine njerëzve të pastrehë. Gazetarja jonë Nina Pineda ndaloi për të folur me një grua, një të huaj në nevojë, në Penn Station të New Yorkut pasi ajo mori një nga dhuratat”, thuhej në kronikën e televizionit.
Në studio ishte e ftuar edhe gazetarja Nina Pineda që intervistoi Parashqevinë derisa tregoi se çfarë përshtypje i kishte lënë artistja.
“Kur e takuam këtë grua dhe filluam të flisnim ajo thjesht kishte një elegancë të brendshme dhe kaq shumë ngrohtësi dhe në fakt ishte një këngëtare shumë e famshme”, tha ajo në emision.