Ditë më parë mediumi boshnjak “Slobodna Bosna”, e publikoi një artikull, ku ndër të tjera sulmoheshin mediumet si “Nacionale” e “Periskopi” të cilat akuzoheshin se financohen nga Serbia.
Në një përgjigje nga Mario Ilçiq, gazetar i mediumit në fjalë thuhet se nuk mund t’i zbulojë burimet porse i besojnë atyre.
Në tërë përgjigjen e tij gazetari Ilçiq nuk e ofroi asnjë fakt për pretendimet e tyre se dy mediumet nga Kosova paguhen nga Serbia.
“Ne nuk do t’jua zbulojmë burimet, por i besojmë absolutisht burimeve tona, sepse nëse nuk do të kishim informacion të besueshëm, nuk do të publikonim as një artikull për mediat në rajon që janë nën vëzhgimin e regjimit të Vuçiqit.
Është interesante se si këto media kanë reaguar menjëherë ndaj shkrimit tonë duke kontaktuar një person të besuar në Bosnje dhe Hercegovinë, i cili ka pasqyruar mediat tona dhe pas vetëm pak minutash ai tekst është përkthyer dhe transmetuar në Kosovo Online, një tjetër media nën vëzhgimin e Vuçiqit. Në fund të fundit, ai person tha për mediat tona se deklaratat e tij për mediat e Kosovës ishin të sajuara dhe të shtrembëruara, dhe pikërisht kështu u ekspozua matrica me të cilën media e Vuçiqit ka vepruar me vite ndaj Bosnjës së Lirë dhe të gjithë kritikëve të regjimit të Vuçiqit.
Nuk ka qenë qëllimi ynë që të provokojmë përleshje politike në Kosovë mes palëve kundërshtare, për të cilat përgjegjësia duhet të kërkohet nga politikanët atje”, ka thënë ai në Debat Plus.
Të mërkurën, 16 organizata joqeveritare dhe tre aktivistë të shoqërisë civile në Kosovë, kanë kërkuar dorëheqjen e Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).
Bordi i RTK-së, përmes një komunikate e kishte quajtur “artikull kontrovers” lajmin. Njëjtë e ka konsideruar edhe kryetari i bordit të transmetuesit publik, Besnik Boletini raportimin në “Lajmet Qendrore” se dy media kosovare po financohen nga Serbia.
Në një deklaratë për gazetën online Reporteri.net, Boletini tregoi se po pret “gjetjet” e komisionit Ad-Hoc të krijuar sot për të shqyrtuar situatën e krijuar.
“Sot është krijuar komisioni Ad-Hoc për shqyrtimin e lajmit kontrovers të transmetuar në RTK, i cili është marrë dhe përkthyer nga një medium boshnjak. E inkurajoj komisionin që ta trajtojë sa më shpejtë që të jetë e mundur këtë rast dhe të dal me një raport profesional dhe objektiv dhe rrjedhimisht ai të vij edhe si propozim në bord”, tha kryetari i bordit të RTK-së.
Ndërkohë, Zana Spahiu ka dhënë dorëheqje nga ushtruesja detyrës së Drejtoreshës së Përgjithshme të RTK-së.
Burimet e gazetës online Reporteri.net kanë thënë se Spahiu ka dhënë dorëheqje pasi propozimi i saj për suspendimin e Rilind Gërvallës nuk është miratuar dje nga bordi i RTK-së.
Suspendimin e tij, Zana Spahiu e kishte propozuar të mërkurën në mbledhjen urgjente që ka mbajtur Bordi i RTK-së pas skandalit të RTK-së kur në edicionin qendror të lajmeve, RTK-ja kishte transmetuar një storje duke cituar mediumin boshnjak “Slobodna Bosna”, në të cilin thuhej se “Periskopi” dhe “Nacionale” kontrollohen dhe financohen nga Serbia.