Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Gaza ndërmjet luftës dhe armëpushimit

Gaza ndërmjet luftës dhe armëpushimit

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Para pak dite, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e bëri publik planin e tij paqësor për përfundimin e konfliktit në Rripin e  Gazës. Sipas mediave ndërkombëtare, ky plan përfshinë fillimisht një armëpushim gjashtë javor, gjatë të cilit forcat izraelite do të tërhiqeshin nga të “të gjitha zonat e banuara “ të Gazës, disa pengje – të moshuar dhe gra – do të liroheshin në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë; civilët palestinezë do të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Gazë; dhe 600 kamionë në ditë do të dërgonin ndihmë humanitare në enklavën e rrënuar. Në këtë fazë, Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – dhe Izraeli do të bisedonin për një armëpushim të përhershëm, për të cilin Biden tha se do të zgjaste “për aq gjatë sa Hamasi u përmbahet zotimeve të veta”. /ArbëriaTV

 

Ndërkohë, pak pas kumtimit të këtij lajmi, zyrtarët e shtetit të Izraelit deklaruan se edhe mund ta pranojnë këtë propozim të paqes, por duke vazhduar të mbrojnë pozicionin fillestar, se megjithatë nuk mund te ketë paqe të përhershme në Rripin e Gazës, pa u realizuar qëllimet e luftës, sikur se “shkatërrimi i plotë i Hamasit, lirimi i të gjitha pengjeve, si dhe sigurimi se Gaza më kurrë nuk do të shndërrohet në kërcënim për sigurinë nacionale të Izraelit”.

 

Sidoqoftë,  ky ndryshim i beftë i pozicionit të kryeministrit Benjamin Netanyahu, reflekton edhe ndryshimin e dinamikave politike që po ndodhin dita ditës për shkak të stërzgjatjes së kësaj lufte. Këtu duhet kujtuar, se fillimisht pas intervenimit të Izraelit në Rripin e Gazës kundër Hamasit, pas sulmit të këtij të fundit me 7 tetor të vitit të kaluar ku u vranë rreth 1200 qytetarë të këtij shteti dhe u kidnapuan më shumë se 250 persona, edhe SHBA-të kanë qenë kundër çdo armëpushimi në këtë zonë. Uashingtoni i kishte bllokuar disa herë përpjekjet e Këshillit të Sigurimit për të imponuar një armëpushim të tillë. Kurse Sekretari i shtetit, Antony Blinken, disa herë gjatë vizitave në Lindje të Mesme, kishte deklaruar se çdo armëpushim vetëm sa do t’i shërbente Hamasit për t’u rigrupuar dhe riforcuar.

 

Po ashtu, në anën tjetër, këtu duhet kujtuar se edhe Izraeli në vazhdimësi i kishte refuzuar dhe shpërfillur disa herë thirrjet e SHBA-së, për të ndryshuar qasjen në Rripin e Gazës. Bie fjala, vetëm ditët e fundit nuk e ka përfillur rekomandimin e Shtëpisë së Bardhë, për ta shmangur hyrjen në Rafa, pa një plan të qartë humanitar. Madje, Presidenti i SHBA-ve, e shpalli këtë plan si “vijë të kuqe” që nuk guxon të shkelet. Mirëpo, ai u shpërfill totalisht.

 

Në këtë kontekst, rritja e presionit ndërkombëtar, për shkak të numrit t madh të viktimave, pamundësia për ta zhdukur rrënjësisht Hamasin, mos lirimi i pengjeve sot e kësaj dite, protestat e brendshme nëpër sheshet e Tel Avivit kundër qasjes në Gaza , si dhe reagimet masive nëpër shumë kampuse universitare në shumë shtete të botës, me kërkesën, që këto universitete të ndalojnë së bëri biznes më Izraelin apo kompanitë që sipas tyre e mbështesin luftën në Gazë si dhe kërcënimi i disa ministrave se do të japin dorëheqje nga kabineti qeveritar, duket që nuk i kanë lënë shumë hapësirë Benjamin Netanyhau.

E të mos flasim këtu për vendimin e fundit të Spanjës, Norvegjisë dhe Irlandës për ta njohur shtetin palestinez, me arsyetimin, se ky vendim do t’i kontribuonte paqes ndërmjet izraeliteve dhe palestineze. Qasje kjo, që është kundërshtuar në vazhdimësi nga Tel Avivi, pikërisht me argumentin se do t’i ndihmonte Palestinës për ta akuzuar shtetin e Izraelit para gjykatave ndërkombëtare dhe kështu do ta dëmtonte pozitën e tij në negociatat e paqes në të ardhmen. Ndërkohë, kulmin e këtij presioni pa dyshim se e përbëjnë edhe dy aktvendimet e gjykatave ndërkombëtare. I pari ka të bëjë me kërkesën e kryeprokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale , për lëshimin e fletarrestimeve për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, si dhe për liderët kryesorë të Hamasit me arsyetimin se janë përgjegjës për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës dhe në Izrael, së paku nga 7 tetori 2023. Kurse i dyti me urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) drejtuar shtetit të Izraelit që “menjëherë të ndalë” ofensivën e tij ushtarake në Rafah.

Sipas Peter Bergen në shkrimin, “This deal can end the war in Gaza”  zakonisht ekzistojnë dy mënyra për t’i dhënë fund luftës në favor të paqes. E para kur njëra palë kapitullon plotësisht, ashtu siç bie fjala ka ndodhur në Luftën e Dytë Botërore, deri sa SHBA-të i dhanë fund kësaj lufte duke hedhur bombën atomike mbi Japoninë, ose tjetra kur kampet ndërluftuese përfshihen në një “ngërç të dëmshëm reciprok”, si një prelud për marrëveshje, ashtu siç është sot situata në Gaza. Hamasi nuk mund ta zhdukë Izraelin, pavërisht retorikës fanatike dhe ekstremiste që përdor për t’i mobilizuar ndjekësit e tij fanatik, por edhe rruga e Izraelit drejt shkatërrimit të Hamasit, më shumë mund të kalojë kah vetë-mundja e tij se sa fitorja e jashtme. Temë kjo që mbetet për t’u trajtuar në një shkrim të radhës./ArbëriaTV

Themes by WordPress