Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Peticioni, “vetëdijesim” apo vazhdim i manipulimit

Peticioni, “vetëdijesim” apo vazhdim i manipulimit

Para pak dite në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviq dhe dje në Zvecan e Zubin Potok, qytetarët e komunitet serb kanë nisur  nënshkrimin e peticionit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë te këtyre komunave, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme lokale, sipas udhëzimit administrativ të nxjerr nga Qeveria e Kosovës.

Ky mobilizim masiv i qytetarëve serbë të prirë nga Lista Serbe, ka nxitur shumë pikëpyetje dhe dilema në opinionin publik.

Analisti Arben Fetoshi në një prononcim për TV Arbëria, ka pohuar se ky ndryshim i befasishëm jo vetëm i Listës Serbe është një taktizim  dhe kalkulim i Aleksandër Vuciqit, me qëllim që ta përforcojw rolin e tij konstruktiv si para partnerëve ndërkombëtarw ashtu edhe ta vendosë Kosovën në një pozicion defansiv dhe me presion të shtuar sa i përket çështjes së Asociacionit.

Ndërkohë, Fetoshi ka shtuar se mënyra më e mirë për t’i hapur rrugë zgjedhjeve në ato komuna, ka qenë nëpërmjet një mirëkuptimi politik më anë të dorëheqjes, sepse ajo që jemi duke parë me këtë peticion është edhe një lloj përçmimi për punën e tyre të deritanishme.

Edhe për analistin Artan Muhaxhiri as që mund të paramendohet që një veprim i tillë i pakicës serbe të jetë vendim autonom i tyre. Çdo akt i rëndësishëm i këtij komuniteti bëhet më urdhër të Beogradit, sepse pakica serbe është e instrumentalizuar në mënyrë maksimale dhe nuk ka subjektivit të marrë vendime të tilla.

Por, analisti Muhaxhiri nuk e përjashton mundësinë që edhe ky vendim të jetë rezultat i një kompromisi që qeveria e Kosovës e ka bërë me Serbinë dhe BE-në e të cilin do ta kuptojmë gjatë ditëve dhe javëve në vijim.

Vlen të ceket se si Lista Serbe ashtu edhe Bashkësia Ndërkombëtare mbronte idenë se rruga më e mirë për mbajtën e zgjedhjeve në katër komunat veriore do të ishte nëpërmjet dorëheqjes së kryetareve shqiptarë, kurse Qeveria e Kosovës e ka kundërshtuar vazhdimisht një rekomandim të tillë, duke insistuar se vetmja procedurë e pranueshme mbetet shkarkimi i tyre me anë të një peticioni.

/TV Arbëria

Powered by WordPress