Një varr masiv me gati 300 trupa është zbuluar në një spital në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis, thanë të hënën punëtorët e Mbrojtjes Civile të Gazës, pas tërheqjes së forcave izraelite nga ajo zonë më herët këtë muaj.
Kolonel Yamen Abu Suleiman, drejtor i Mbrojtjes Civile në Khan Younis, i tha televizionit CNN të hënën se “73 trupa u nxorën” në oborrin e Kompleksit Mjekësor “Nasser”, që e çoi “numrin e përgjithshëm të trupave në 283”.
Suleimani pretendoi se disa prej trupave ishin gjetur me duar e këmbë të lidhura. “Nuk dimë nëse u varrosën të gjallë apo u ekzekutuan. Shumica e trupave janë të dekompozuar” – shtoi ai.
Televizioni CNN nuk ka mundësi që t’i vërtetojë pretendimet e zyrtarit palestinez dhe nuk mund ta vërtetojë shkakun e vdekjes së personave të gjetur në varrin masiv.
Televizioni ka kërkuar koment nga ushtria izraelite pas zbulimit të varrit masiv, përfshirë pyetjet nëse trupat ishin zhvarrosur për test të ADN-së dhe nëse ata janë rivarrosur.
Më parë, një zëdhënës i Mbrojtjes Civile në Khan Younis dhe kreu i misionit të kërkimit, Raed Saqr, i kishte thënë televizionit se ata ishin duke i kërkuar trupat e 400 personave të tjerë të zhdukur pas tërheqjes së ushtrisë izraelite më 7 prill.
Një person i angazhuar nga televizioni CNN, që e vizitoi vendin e ngjarjes të dielën, tha se njerëzit i kishin varrosur trupat e anëtarëve të familjeve që ishin vrarë në zonën e spitalit në janar si masë e përkohshme. Kur ata u kthyen pas tërheqjes së forcave izraelite, ata zbuluan se trupat ishin zhvarrosur – si duket për shkak se ushtria izraelite po e përdorte testimin për ADN për të zbuluar nëse ndonjëri nga pengjet që po mbahen në Gaza ishte në mesin e të vdekurve.
Një burrë në vendin e ngjarjes i tha televizionit CNN se ai ende nuk e kishte gjetur trupin e të birit 21-vjeçar, i cili u vra në janar.
“Nuk e kam gjetur ende. E kishim varrosur aty, por nuk mund ta gjejmë dhe deshëm t’ia bënim atij një varr të denjë” – tha babai palestinez.
Zona përreth Kompleksit Mjekësor “Nasser” kishte bombardime dhe luftime intensive në janar dhe shkurt. Në atë kohë, televizioni CNN kishte raportuar për varrosjen e trupave në zonën e spitalit për shkak të mungesës se qasjes së sigurt në varreza. /Nacionale/