Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Gashi: Spanja në mënyrë të poshtër na përjashtoi nga Evropiani i Karatesë

Gashi: Spanja në mënyrë të poshtër na përjashtoi nga Evropiani i Karatesë

Spanja është bërë edhe njëherë tjetër pengesë që Kosova të mos jetë pjesë e një gare të rëndësishme sportive, që kësaj radhe ishte Kampionati Evropian i Karatesë për seniorë.

Karateistët nga Kosova në fakt u pajisën me viza dhe udhëtuan drejt Spanjës, sepse e kishin të konfirmuar pjesëmarrjen atje, por u befasuan në momentet e fundit kur nga shteti spanjoll u njoftuan se nuk do të kenë të drejtë t’i përdorin simbolet e shtetit të Kosovës.

Kryetari i Federatës së Karatesë, Avni Gashi thotë se kjo nuk është hera e parë që Kosova po e pëson në këtë mënyrë, pasi një gjë e tillë brenda këtij viti ndodhi edhe nga shteti i Qipros.

Gashi: Për çështje politike po humbim gara të rëndësishme

“Realisht lajm i keq, nuk është hera e parë, tanimë është bërë hera e dytë brenda këtij viti që Federata e Karatesë së Kosovës është viktimë e agjendave politike ndërkombëtare, në këtë rast intervenimeve direkte të shtetit serb në shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe fatkeqësisht dy ngjarje shumë të rëndësishme që ishte Kampionati Evropian për kadetë dhe junior U21, u mbajt në Qipro dhe ky Kampionati Evropian për senior që ishte i paraparë të mbahet në Spanjë. Të dyat na dështuan, sepse me gjithë angazhimin e federatave vendore, në kërë rast Qipros dhe Spanjës, Ministria e Punëve të Jashtme, respektivisht ambasadat e tyre na e ndaluan fillimisht furnizimin me viza, pastaj deri në momentin e fundit nuk kishte njoftim zyrtar se nuk do të merrej pjesë si Kosovë në Madrid, andaj tek pas arritjes aty e kuptuam që nuk do të lejohemi”, thotë Gashi.

Ai zbulon se çfarë ndodhi me ekspeditën e Kosovës pak para se të niste kampionati në Madrid, duke e quajtur “të poshtër”, mënyrën se si Spanja ia mohoi Kosovës pjesëmarrjen në këtë garë.

Gashi: Në mënyrë të poshtër Spanja po provon të na demotivojë

“Në të dy rastet na është ofruar që të marrim pjesë pa simbole shtetërore, në këtë rast pa flamur, pa himn edhe ma mbishkrimin “Kosovë” në monitoret e garues, gjë e cila për ne është përveç se poshtëruese, është edhe një metodë shumë e poshtër për të demotivuar, duke filluar prej garuesit, trajnerëve, federatën dhe gjithë Kosovën si pjesë garës. Normalisht që nuk pranohet kjo dhe përtej garës, përtej suksesit, para nesh është shteti dhe është Kosova. Ne kur shkuam aty, i përfunduam të gjitha procedurat, në këtë rast paraqitjen, pagesat, matjet dhe në momentin që përfundojnë pagesat, si procedurë administrative që është, merren akreditimet nga Federata Evropiane. Në atë rast kemi parë se në vend të flamurit është e shkruajtur “Kosovo Karate Federation”, absolutisht reaguam, kontaktuam direkt me presidentin e Federatës Evropiane dhe Botërore, që është i njëjti person dhe na u komunikua edhe verbalisht se shteti spanjoll nuk lejon që brenda shtetit spanjoll të paraqiten simbolet e Kosovës”, thekson tutje Gashi.

Nga situata e krijuar dhe nga ky vendim i padrejtë, i pari i Federatës së Karatesë, thotë se garuesit u ndjenë tejet të mllefosur e të ofenduar, duke u larguar menjëherë nga salla, sepse ata ishin të përgatitur për të fituar medalje.

Gashi: Garuesit u ndjenë të mllefosur dhe të ofenduar nga kjo situatë

“Është pak e vështirë të shpjegohet për personat që nuk kanë qenë prezent gjendjen emocionale që ka shpërthyer te garuesit. Po ashtu, edhe tek zyrtarët, në këtë rast unë dhe selektori që ishim aty. Një dëshpërim i jashtëzakonshëm duke e ditur se përgatitjet ishin maksimale, të nivelit maksimal dhe gatishmëria për të marrë pjesë, respektivisht tendenca për të fituar ishte aty-aty sikur edhe kampionët që tashmë janë bërë sepse ne u detyruam të tërhiqemi…Nga dëshpërimi, nga mllefi erdhi një ndjesi që as në palestër nuk rrihej dot më, sepse u ndjemë shumë të ofenduar dhe realisht sikur mos të ishte thjeshtë dhe vetëm politika, atëherë do të thoja se e gjithë Evropa i kishte frikë talentët tonë”, shprehet Gashi.

Me shqetësim të thellë, Gashi zbulon gjithashtu se mospjesëmarrja në këtë garë, do ta lë Kosovën edhe jashtë Lojërave Evropiane në karate.

Gashi: Për shkak të këtij diskriminimi, do t’i humbim edhe Lojërat Evropiane

“Ka edhe diçka tjetër, është shumë e rëndësishme që ky Kampionat Evropian ishte kualifikues për Lojërat Evropiane që do të mbahen në Poloni. Rrjedhimisht, kushdo që nuk merr pjesë këtu, e ka të pamundur të marrë pjesë në Lojërat Evropiane, që i bie që karateja e Kosovës në Lojërat Evropiane, nuk do të ketë përfaqësues, dëmi është i shumëfisht…Ne i kemi pesë garues, të cilët janë në top-ranking të Federatës Evropiane, pretendent për të shkuar në Lojërat Evropiane. Kjo është edhe më e dhimbshme kur dihet se niveli i Lojërave Evropiane është po aty afër me Lojërat Olimpike.”, bën të ditur Gashi.

Në fund, ai shprehet i kënaqur me mbështetjen e Ministrisë së Sportit gjatë ballafaqimit me këtë situatë të vështirë, por potencon se sfidë e kësaj federate vazhdon të jetë aspekti financiar, gjë për të cilën kërkon mbështetje më të madhe për garat e ardhshme.

/TV Arbëria

Powered by WordPress