Historiani Ibrahim Gashi, i ftuar në emisionin “N’PULT” në TV Arbëria, përballë Resim Morinës, ka folur për komandantin legjendar Adem Jashari dhe familjen e tij.
Ai ka thënë se Adem Jashari është “sinonim i organizimit të fillimit të idesë së luftës së armatosur”.
“Është sinonim i organizimit të fillimit të idesë së luftës së armatosur, i organizimit dhe implementimit të kësaj ideje përmes lëvizjes, veprimeve dhe aksioneve që janë ndërmarrë deri në rënie,” ka thënë ai.
Ai ka potencuar se familja Jashari tregoi një rezistencë pa tërheqje.
“Është personifikim dhe simbol i qëndresës së madhe, të tij dhe familjes, një luftë tepër e pabarabart dhe një rezistencë pa tërheqje. Edhe pse kishin mundësi tërheqje, ai dhe familja nuk u tërhoqën,” ka thënë ai.
“Është rast shumë unik në historinë e njerëzimit kur ai dhe familja vendosën të vetë-sacrifikohen bashkë me komandantin dhe të mos e lënë atë vetëm,” ka thënë tutje ai.
Gashi thotë se beteja e Jasharëve është treguesi i rëndësisë së lirisë.
“Beteja e Jasharëve, humbjet, janë tregues ose më mirë janë reflektimi mbi të cilin ne duhet të nisemi për ta vlerësuar, edhe për ta kuantifikuar dhe kualifikuar çmimin e lirisë. Pra, rezistenca e Jasharëve flet sa e shtrenjtë është çmimi i lirisë së një populli,” ka thënë historiani në emisionin “N’PULT”. /TV Arbëria