Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi, priti në takim përfaqësuesit e Këshillit Ndërkombëtar për Bashkëpunim Ekonomik dhe Social (CICES). Delegacioni, i përbërë nga z. Michael Deboudt, z. Jean Réveillon dhe z. Thomas Culnart, u shoqërua nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, z. Mehdi Halimi.
Sipas njoftimit të MPJD, zëvendësministrja Gashi i falënderoi përfaqësuesit e kësaj organizate ndërkombëtare për bashkëpunimin e ofruar dhe i njoftoi ata për potencialin e Kosovës në fushat sociale, ekonomike dhe kulturore. Ajo theksoi vizionin strategjik të vendit për ta avancuar bashkëpunimin dhe për ta zgjeruar ndikimin e saj pozitiv në arenën ndërkombëtare.
Po ashtu, diskutimet u fokusuan në mundësitë konkrete për forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe CICES-it, si dhe në zhvillimin e projekteve të përbashkëta, që synojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe promovimin e Kosovës si një partner inovativ dhe i besueshëm në rajon dhe më gjerë.
Tutje sipas njoftimit, ky takim reflekton përkushtimin e Kosovës për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi ndërkombëtar, duke dëshmuar përkushtimin e saj për të kontribuar në projektet transformuese dhe për t’i promovuar vlerat e përbashkëta që ndihmojnë në zhvillimin ekonomik, social e kulturor.