Arben Gashi, deputet i LDK-së ka dhënë interpretimin e tij për mënyrën e ndryshimit të metodës së votimit.
Sipas tij, kjo mund të bëhet vetëm me mocion procedural, duke shtuar se në votim duhet të marrin pjesë të gjithë deputetët.
“Në lidhje me procedurën e votimit në seancën konstituive të Kuvendit, ritheksojmë se kjo procedurë është vendosur në mbledhjen përgatitore të zhvilluar sipas Kushtetutës dhe Rregullores, nga Kryesia e legjislaturës paraprake. Çdo ndryshim i saj mund të bëhet vetëm përmes një mocioni procedural për anashkalimin e Rregullores së punës së Kuvendit, dhe pastaj të miratohet me votim për procedurën e re. Një mocion i tillë do të ishte obligativ për të gjithë deputetët që të marrin pjesë në votim”, ka shkruar Gashi.
“Vazhdimi i përpjekjeve për të anashkaluar procedurat dhe për të cenuar rendin kushtetues dhe rregullat e miratuara, është i dëmshëm për të gjithë skenën politike pa dallim, por veçanërisht për partinë që ka dalë e para në zgjedhje. Sepse i pari në rezultat, është jo vetëm i pari në të drejtën për të propozuar, por edhe i pari në obligimin për të respektuar rregullat dhe Kushtetutën, si dhe për të ofruar zgjidhje.”, vazhdon ai.