Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se LDK i ka votuar dhe do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare.
Gashi ka reaguar pas reagimeve të partisë në pushtet, zyrtarë të së cilës kanë thënë se LDK dhe partitë tjera opozitare nuk po i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.
Deputeti Gashi, përmes një postimi në Facebook, ka treguar të vërtetën sipas tij.
“E vërteta është se LDK i voton dhe i ka votuar të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare. E vërteta është se edhe dje LDK i ka votuar marrëveshjet ndërkombëtare”, ka thënë Gashi.
Ai ka shtuar se LDK nuk e votton vetëm marrëveshjen me OPEC-un, ngase një pjesë e madhe e anëtarëve të kësaj organizate janë shtete diktatoriale.
Gashi tha se partia në pushtet është e dëshmuar se kur është në opozitë nuk i voton marrëveshjet ndërkombëtare, por sipas tij përkundër kësaj asnjëherë nuk i është mohuar e drejta e pyetjeve parlamentare.
“E vërteta është se ne sot e kemi lëshuar seancën pasi që Qeveria ka refuzuar që t’u përgjigjet pyetjeve parlamentare. E vërteta është se sjellja e sotme e Qeverisë është një ogur i keq për demokracinë. E vërteta është se Qeveria në mënyrë arrogante nuk dëshiron me iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të Parlamentit të Kosovës”, tha Gashi duke shuar se Qeveria nuk iu përgjigj pyetjeve parlamentare dhe kjo sipas tij, kjo e vërtetë është momentum i ri, i papranueshëm, kundërkushtetues dhe cenim i demokracisë.
Shefi i deputetëve të LDK-së tha se “e vërteta është se shumica nuk po i ka numrat me qeverisë dhe se opozita nuk i ka numrat për ta rrëzuar”.
“E vërteta është se Kurti sot i ka bërë katër vjet si kryeministër dhe rezultati i punës së tij është zero; asnjë rezultat, asnjë sukses, mungesë zhvillimi ekonomik, tentim të kapjes së institucioneve, sanksione ndërkombëtare, korrupsion, krim i organizuar etj. E vërteta është se kjo nuk është qeverisja që i duhet Kosovës”, ka shkruar Gashi.
/TV Arbëria