Avokati i familjes së Astrit Deharit, Tomë Gashi, ka reaguar pas deklaratës së deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazit, se ekzistojnë video-incizime që dëshmojnë zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit. Ai tha se kanë paraqitur kërkesë për marrje në pyetje të Abazit nga Prokuroria.
Ai ka thënë se Abazi ka borxh ndaj Astrit Deharit dhe obligim ligjor që të dëshmojë dhe t’i dorëzojë të gjitha provat që ai pretendon se i ka në prokurori e që kanë të bëjnë me rastin e zhdukjes së mostrave biologjike dhe të gjakut të Astrit Deharit.
“Z.Haki Abazi dorëzoi provat në Prokurori! Pas prononcimeve të deputetit të Republikës së Kosovës z.Haki Abazi, kam paraqitur kërkesë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për marrjen në pyetje të tij në cilësinë e dëshmitarit. Z. Haki Abazi e ka borxh ndaj Astrit Deharit dhe e ka obligim ligjor që të dëshmojë dhe t’i dorëzojë të gjitha provat që ai pretendon se i ka në Prokurori e që kanë të bëjnë me rastin e zhdukjes së mostrave biologjike dhe të gjakut të Astritit, të cilat janë zhdukur nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë e që për zhdukjen e tyre është bërë e ditur para 2 muajve. Deputeti z. Abazi ka deklaruar se ka bërë një hulumtim dhe se sipas tij ekzistojnë video-incizime me të cilat ‘dihet qarte se kush ka hyrë tek frigoriferi’ në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Askush nuk mund të intervistohet para se të intervistohet z.Haki Abazi”, ka shkruar Gashi.
Deputeti i LVV-së, Haki Abazi ka thënë sot se ekzistojnë video-incizime ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit. Për këto të fundit, ai tha se duhet të merren në pyetje nga Prokuroria kryeministri Albin Kurti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Dejona Mihali, Nazlie Balaj dhe Flutura Goga – Bajrami. /TV Arbëria