Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Gariq: Reagimet nga perëndimi për mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë nuk mjaftojnë

Gariq: Reagimet nga perëndimi për mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë nuk mjaftojnë

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Telekomunikacionit dhe Informimit të Serbisë, dhe ish-kryeredaktori i portalit serb “kosovoonline”, Millosh Gariq, ka deklaruar se reagimet e ambasadorëve perëndimorë dhe qeverive të tyre për mbylljen e institucioneve të Serbisë në Kosovë janë të pamjaftueshëm, si dhe se tolerojnë, lejojnë dhe se edhe ata janë bashkëkryerës.

Gariqi ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug” se edhe përkundër faktit që nuk janë përmendur të dyja palët në reagimet e ambasadorëve të vendeve perëndimore, ato janë të pamjaftueshme sepse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e konsideron këtë si një paralajmërim shumë serioz.

“Ishte një sjellje frikacake dhe patetike e Albin Kurtit dhe ekstremistëve të tij. Kjo tashmë është një lloj dhunimi politik i kryer nga Kurti dhe si çdo dhunues, ai e shëron pafuqinë e tij politike me agresion ndaj serbëve, ndaj atyre që nuk mund ta kundërshtojnë me asnjë forcë. Kjo që po bën është komplet çnderim politik dhe një lloj sadizmi politik”, ka shprehur nervozizmin e tij Gariqi, transmeton Paparaci.

Ai ka thënë se “me veprime të tilla Kurti po dëmton edhe popullin e tij për të arritur qëllimet e tij politike, pra për të fituar disa pikë më shumë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë më 9 shkurt”.

“Tragjedia më e madhe është se në Kosovë ka ende shumë njerëz të tillë që do ta përkrahin Kurtin vetëm pse ai i urren serbët dhe kryen këtë lloj sundimi terrori ndaj serbëve”, ka pretenduar Gariq dhe ka shtuar se “pjesa e opinionit shqiptar që është i turpëruar nga ajo që po bën Kurti, ende nuk është në gjendje t’i rezistojë”.

“Ne kemi pasur shumë gjëra të shëmtuara dhe tragjike që kanë ndodhur në të kaluarën mes dy popujve dhe nuk na duhej një Albin Kurti, por duhet të durojmë. Populli serb në Kosovë ka duruar shumë më keq, do të durojë edhe Kurtin”, ka thënë ai.

I pyetur se kur SHBA dhe BE do të kalojnë nga një politikë reagimi në një politikë sanksionesh ndaj Kosovës dhe Kurtit, Gariq ka thënë se “me ardhjen e presidentit të sapozgjedhur amerikan Donald Trump në pushtet më 20 janar, pritet që ai mund të sjellë më shumë drejtësi dhe shqetësim për sigurinë e përgjithshme”.