Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Gara politikë-fe për shkatërrimin e shqiptarëve

Gara politikë-fe për shkatërrimin e shqiptarëve

Nga Agron Hoti

Në vend që t’i pajisim me kompjuterë e laboratorë shkollat tona që po na zbrazen çdo ditë e më shumë nga fëmijët si e ardhmja e një kombi, ne kemi zgjedhur të ndërtojmë xhamija në vendet më të dukshme pavarësisht sa larg komunitetit, të ndërtojmë aty këtu edhe ndonjë kishë po ashtu në vende sa më të dukshme pavarësisht sa larg komunitetit dhe krejt në fund të shpallim edhe një minishtet fetar si ‘qershinë mbi tortë’, sepse na paskësh munguar deri me tani diçka e ngjashme si Meka apo Vatikani dhe pa të na qenkësh bërë kiameti.

Në vend që fëmijëve tanë t’u ofrojmë arsim dhe ekonomi për t’i mbajtur ata në tokën ku kanë lindur, ne kemi zgjedhur t’u ofrojmë fe me barkun thatë sikurse në Afganistan e Pakistan, për t’ua dhënë kështu ata të gatshëm evropianëve me plakje popullsie e natalitet në rënie të lirë. E evropianët me mosinvestimet e qëllimshme të tyre në Ballkan dhe troje shqiptare vetëm sa po i fryjnë zbrazjes me shpejtësi të trojeve shqiptare. Përderisa ne jemi në hall se si t’u krijojmë kushte fëmijëve tanë për të mbetur në tokën ku kanë lindur, evropianët nga viti 2020 e tutje kanë hyrë në garë të paparë mes vete për të na i marrë me çdo kusht fëmijët, rininë dhe profesionistët.

Mjerisht planet ruse e serbe përmes aleancës ruso-islame të mbështetur heshtazi edhe nga evropianët për tjetërsimin tonë kombëtar përmes përçarjes brutale dhe demoralizimit kombëtar si dhe braktisjen me të madhe të trojeve tona po bëhen realitet. Qindra hektarë janë zënë pas lufte për të ndërtuar xhamija e aty këtu edhe ndonjë kishë, shumica e të cilave rrinë zbrazur e shkret. Qindra miliona euro kanë shkuar për objekte kulti, ndërsa shkollat i kemi tingtangall pa asnjë kompjuter apo laborator. Yrysh Rusia, Serbia e Greqia për të na e përvetësuar trashëgiminë ortodokse, yrysh Meka, Teherani e Stambolli për të na e përvetësuar trashëgiminë islame dhe yrysh Vatikani për të na e përvetësuar trashëgiminë katolike. Neve po na ngelet vetëm “të trashët e Sulës” në dorë. Mbaja kah t’i ma mbash në kungj se në kungj.

Vazhdojmë kështu bacalok se ka për ta na i marrë Evropa fëmijët ende pa lindur mirë. Kontribuesit më të mëdhenj për këtë demoralizim shoqëror janë politika pa përjashtim dhe feja, të cilat i janë futur garës se kush po bën vota e anëtarë më shumë, pavarësisht se në dëm të zhvillimit dhe kohezionit kombëtar. Për një grusht vota e anëtarësi po e djegim kombin. Shumë shpejtë kemi për të parë të ashtuquajtura parti fetare në Kuvend të Kosovës e Shqipërisë me flamuj të dreqit e të birit mbi tavolinë, bile edhe duke shitur moral. Jemi këtu e flasim!
25 shtator 2024
A.H.

Themes by WordPress