Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Fytyrat e njohura në Ballkanin Perëndimor që u rizgjodhën eurodeputetë dhe ata që dështuan

Fytyrat e njohura në Ballkanin Perëndimor që u rizgjodhën eurodeputetë dhe ata që dështuan

Javën e kaluar, votuesit në 27 vendet anëtare të BE zgjodhën 720 ligjvënës në Parlamentin Europian për pesë vitet e ardhshme. Shumë prej anëtarëve që shërbejnë në PE 2019-2024, të cilët janë bërë “fytyra të njohura” në Ballkanin Perëndimor i ruajtën vendet e tyre, ndërsa disa nuk u rizgjodhën.

Përveç tyre, disa eurodeputetë zgjodhën të tërhiqen nga Parlamenti Europian ose e lanë atë herët për të marrë detyra kombëtare. Rezultatet përfundimtare priten gjithashtu në disa vende anëtare të BE-së.

Zyrat më të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor – Raportuesit dhe Kryesuesit e Delegacioneve – do të zgjidhen në fund të këtij viti, bazuar në marrëveshjen e grupeve politike.

Të rizgjedhur për pesë vjet të tjera

David McAllister (Gjermani) siguroi një tjetër mandat në Parlamentin Europian. McAllister (CDU) është anëtar i PE-së që nga viti 2014. Ai aktualisht është nënkryetar i Partisë Popullore Europiane. McAllister u emërua Kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian në shkurt 2017 dhe shërbeu si Raportues i PE-së për Serbinë nga 2014 deri në 2019.

Gjithashtu u rizgjodh Tonino Picula (Kroaci). Picula, një përfaqësues i Partisë Socialdemokrate të Kroacisë, ka qenë eurodeputet që kur Kroacia hyri në BE në vitin 2013. Ai ishte kryetar i Grupit të Punës për Ballkanin Perëndimor në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Raportues për Malin e Zi, si dhe Raportues për fondet IPA dhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Bashkëkryetari i partisë ALDE Ilhan Kyuchyuk (Bullgari) siguroi gjithashtu një mandat tjetër. Kyucyuk është përfaqësues i Lëvizjes për të Drejtat dhe Liritë (grupi Rinew Europe në PE), e cila u bë partia e dytë më e madhe në Bullgari në zgjedhjet e fundit. Ai është anëtar i PE që nga viti 2014 dhe ka qenë Raportues për Maqedoninë e Veriut vitin e kaluar.

Është rizgjedhur edhe Andreas Schieder (Austri), i cili ka udhëhequr listën e Partisë Socialdemokrate në Austri. Schieder është anëtar i PE që nga viti 2019 dhe kryetar i Delegacionit të PE në Maqedoninë e Veriut. Ai ishte pjesë e misionit vëzhgues të PE-së për zgjedhjet serbe të vitit të kaluar dhe konstatoi se votimi “nuk ishte i drejtë”, për të cilin u sulmua nga partia në pushtet.

Thomas Waitz (Austri), Bashkëkryetar i Komitetit të Partisë së Gjelbër Europiane, fitoi një tjetër mandat. Ai ishte aktiv edhe për çështjet që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor, përfshirë mjedisin, por edhe marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Një tjetër eurodeputet austriak që u rizgjodh ishte Lukas Mandl, anëtar i Partisë Popullore Austriake (grupi PPE në PE). Ai është deputet i Parlamentit Europian që nga nëntori i vitit 2017. Mandl ka qenë një nga eurodeputetët më të zëshëm që e ka mbështetur Kosovën për shumë çështje, përfshirë liberalizimin e vizave.

Alessandra Moretti (Itali) gjithashtu e ruajti vendin e saj në PE falë votave preferenciale. Moretti (grupi S&D në PE) ka shërbyer si anëtare e PE që nga viti 2019. Ajo ka qenë bashkëkryetare e Komitetit të Stabilizim Asociimit BE-Serbi që nga viti 2022.

Matjaž Nemec (Slloveni) fitoi vendin në PE si kandidati kryesor i socialdemokratëve në Slloveni. Nemec, i cili ka qenë eurodeputet që kur Tanja Fajon u largua nga Parlamenti për t’u bërë Ministre e Jashtme e Sllovenisë në vitin 2022, ishte Raportues për heqjen e vizave për serbët në Kosovë në vitin 2024.

Zheljana Zovko (Kroaci) u rizgjodh në Parlamentin Europian në listën e Bashkimit Demokratik Kroat (grupi PPE në PE). Eurodeputet që nga viti 2016, Zovko ishte anëtare e Grupeve të Punës për Ballkanin Perëndimor dhe për instrumentet e jashtme financiare, si dhe anëtar i Delegacioneve për marrëdhëniet me Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën. Në tetor 2021, ajo u emërua një nga nënkryetaret e Grupit PPE.

Michael Gahler, një deputet veteran kristian-demokrat (Gjermani), arriti ta mbajë pozicionin e tij në Bruksel dhe Strasburg. Gahler ka qenë anëtar i PE-së që nga viti 1999. Ai ishte Koordinatori i Parlamentit Europian për Punë të Jashtme dhe insistoi në reformat në fushën e sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor.

Ata që dështuan ta fitonin një mandat tjetër

Viola von Cramon (Gjermani) nuk arriti të mbajë vendin e saj në PE. Von Cramon u zgjodh në PE në 2019 si anëtare e të Gjelbërve gjermanë. Ajo ishte Raportuese e PE për Kosovën dhe Raportuese Hije për Serbinë për grupin e të Gjelbërve/EFA, herë pas here kritike ashpër ndaj qeverisë serbe. Von Cramon u rendit e 15-ta në listën e Gjelbërve gjermanë, që fituan 12 vende, duke humbur 9 vende nga viti 2019.

Klemen Grošelj (Slloveni), më parë anëtar i Lëvizjes për Liri në pushtet, kandidoi në zgjedhjet për PE si kandidati kryesor i të Gjelbërve joparlamentare të Sllovenisë. Megjithatë, ai nuk u rizgjodh pasi të Gjelbërit fituan vetëm 1.6% të votave në Slloveni. Groshelj ishte një raportues në hije për Serbinë dhe kreu i delegacionit vëzhgues të PE në zgjedhjet që u zhvilluan në Serbi më 17 dhjetor 2023.

Edhe Franc Bogovic (Slloveni) humbi vendin e tij në PE. Bogovic u zgjodh për herë të parë në PE në 2014 dhe përsëri në 2019. Ai përfaqësoi Partinë Popullore Sllovene – SLS (anëtar i Grupit PPE). SLS mori 7.2% të votave në Slloveni dhe nuk do të përfaqësohet në PE-në e re. Ai ishte nënkryetar i Delegacionit të PE në Serbi.

Angel Dzhambazki (Bullgari), anëtar i grupit konservator ECR, humbi vendin e tij në PE. Polemika e tij më e madhe përfshinte dhënien e asaj që u perceptua si një përshëndetje naziste në seancën plenare të PE vitin e kaluar, gjatë një debati mbi sundimin e ligjit në Poloni dhe Hungari, për të cilën ai u gjobit.

Ata që u larguan nga Parlamenti Europian

Vladimír Bilčík (Sllovaki), i cili pasoi McAllister si Raportues për Serbinë në vitin 2019, vendosi të mos kandidojë. Anëtar i EPP-së, Bilčík ishte gjithashtu Kryetar i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Malin e Zi. Ai ishte aktiv në Dialogun Ndërpartiak 2019-2022 për kushtet elektorale në Serbi si një nga ndërmjetësit dhe herë pas here kritikohej nga opozita se, sipas tyre, ishte shumë i butë me partitë në pushtet.

Isabel Santos (Portugali), Raportuese e PE për Shqipërinë, nuk kërkoi rizgjedhjen. Partia e saj Socialiste e Portugalisë fitoi zgjedhjet me 8 vende. Bashkatdhetari i saj Paulo Rangel, Raportues i PE për Bosnjë dhe Hercegovinën, u largua nga parlamenti në fillim të këtij viti për t’u bërë Ministër i Shtetit dhe i Punëve të Jashtme të Portugalisë.

Reinhard Bütikofer (Gjermani), një zëdhënës për punët e jashtme i grupit të të Gjelbërve/EFA në Parlamentin Europian, i cili shpesh komentonte zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, njoftoi vitin e kaluar se nuk do të kandidojë në zgjedhjet e PE të 2024-ës.

Ende priten rezultatet përfundimtare nga disa vende

Lista e koalicionit të Partisë Laburiste Holandeze dhe të Majtës së Gjelbër, e cila fitoi 8 vende në Holandë dhe përfundoi në vendin e parë, përmban dy eurodeputetë që ishin aktivë në Ballkanin Perëndimor – Tineke Strik dhe Thijs Reuten. Strik ishte zëdhënëse e të Gjelbërve-EFA për Bosnjë e Hercegovinën, ndërsa Reuten drejtoi Misionin e Vëzhgimit të Parlamentit Europian në zgjedhjet parlamentare serbe të vitit 2022.

Strik dhe Reuten ishin kandidatët e 5-të dhe të 6-të në listën e koalicionit, duke u siguruar atyre shanse të mira për rizgjedhje. Rezultatet e votimit preferencial nuk janë publikuar ende. Më 12 qershor, Strik konfirmoi rizgjedhjen e saj në X.

Edhe Andrej Kovacev, zëdhënës i Grupit PPE për Zgjerim dhe Fqinjësi pritet të rizgjedhet, duke pasur parasysh faktin se partia e tij GERB ka fituar si zgjedhjet europiane ashtu edhe ato parlamentare në Bullgari. Kovaçev ishte kandidati i dytë në listën e GERB.