Qeveria shqiptare ka vendosur që stafi teknik i Kombëtares me një krye trajnerin Silvinjo dhe të gjithë lojtarët që kanë dhënë kontributin e tyre në kualifikimin e Shqipërisë në Europianin “Gjermani 2024” kanë marrë pasaportën diplomatike.
Ka qenë vetë Kryeministri, Edi Rama i cili gjatë fjalimit të tij në mbrëmjen Gala “Më të Mirët 2023” ka bërë të ditur vendimin për t’i akorduar pasaportat diplomatike stafit teknik dhe lojtarëve kuqezi.
Kapiteni Hysaj në përshëndetjen e tij shprehu vlerësimin e tij për këtë vendim në emër të skuadrës kuqezi: “Shumë faleminderit! Dua të falënderoj Presidentin për ftesën në këtë mbrëmje, Kryeministrin për mbajtjen e fjalës. Për mua është një emocion i dytë pas kualifikimit në Euro 2024. Është kënaqësi akoma më e bukur me këtë grupin ‘e lehtë’ që na ra këtë herë. Kam besim tek skuadra që do ia dalim mbanë e ndoshta mund të bëjmë realitet një ëndërr tjetër në Gjermani”, tha Hysaj.
Më tej, Kryeministri i dorëzoi Presidentit Duka për të gjithë lojtarët dhe stafin teknik të ekipit Kombëtar pasaportat diplomatike.
Gjithashtu gjatë mbrëmjes Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj i dorëzoi pasaportën shqiptare, trajnerit të Kombëtares shqiptare të futbollit, Sylvinho Mendez Campos Junior.
Trajneri Sylvinho theksoi tha se ishte një mbrëmje shumë e rëndësishme për të, për historinë e Sylvio Mendez Campos Junior. Një djalë që ka dalë nga San Paolo dhe nisi një rrugëtim, shkoi në Londër, Barcelonë, Mançester, Milano dhe mbërriti në Tiranë, një tokë dhe vend i bukur.
“Është një nder të jap një kontribut në futboll. Keni bërë një rrugë shumë të bukur deri tani”, theksoi tekniku i Kombëtares.
/TV Arbëria