Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Fushata kuazi-religjioze e partive politke

Fushata kuazi-religjioze e partive politke

Shkruan: Afrim Kasolli

Në rrethana normale partitë politke do ta kishin shumë të vështirë apo të pamundur të kërkonin edhe një herë votë para qytetarëve të Kosovës. Sepse mandatin që e kanë marrë nga ky i fundit si në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të kaluar ashtu edhe në ato 28 dhjetorit ato e kanë tradhtuar.

Në vend të krijimit të institucioneve për t’i adresuar nevojat dhe sfidat soci-ekonomike, partitë politike kanë vendosur ta marrin peng fatin kolektiv të kësaj shoqërie. Ta lënë atë në mëshirë të fatit.

Oferta e tyre reale do të ishte votoni për ne që ta thellojmë krizën. Ta mbajmë vendin të bllokuar dhe në një rreth vicioz.

Mirëpo, si në fushatën elektorale të zgjedhjeve të fundit ashtu në këtë që pritet të fillojë shumë shpejt ato e kanë gjetur një strategji tjetër për ta maskuar përgjegjësine e tyre për këtë paaftësi institucionale dhe shtetërore. Përsëri e tërë beteja politike do të zhvillohet në kërkim të fajtorit të madh dhe se kjo beteje do të jetë vendimtare për ta çliruar një e përgjithmonë shoqërinë nga prirjet politike satanike.

Prandaj, është e rëndësishme që populli me votën e tij ta ndëshkojë mekatarin e shpërblejë viktimën. E ku më në fund do të restaurohet uniteti i munguar dhe do të kurohen plagomat shoqërore.

Në këtë kontekst, edhe fjalimet e liderëve politike me shume se të atyre që angazhohen për të ofruar projekte konkrete për tejkalim të vështirësive që e kanë kapluar vendin do t’u ngjasojnë atyre të “predikatoreve morale” te sajuar sipas një fryme kuazi-religjioze.

Nuk ka dyshim se ky është një terren që në masë më të madhe i shkon për shtati Albin Kurtit. Duke e mbajtur theksin në këtë formë të ligjërimit publik ai e ruan përparësinë e tij politike në raport me gjuhen me shumë teknokratike të oponentëve të tij.