Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Furnizimi me barna, Vitia: Është rritur buxheti për 10%, pasi kompanitë farmaceutike s’kanë marrë pjesë

Furnizimi me barna, Vitia: Është rritur buxheti për 10%, pasi kompanitë farmaceutike s’kanë marrë pjesë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë të përbashkët me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se kanë pasur problem me kompanitë farmaceutike për furnizimin me barna.

Vitia, ka sqaruar se asnjë kompani s’ka marrë pjesë në procesin tenderik të 2023-ës, i hapur në muajin qershor kjo për shkak të shumës së vogël që ishte ofruar.

“Nga muaji qershor-korrik mund të gaboj me pak javë ndoshta, kanë dalur shumë procedura tenderike për sigurimin e të gjitha barnave që i siguron ministria e Shëndetësisë, për kujdesin parësor shëndetësore”.

“Fatkeqësisht për arsye të ndryshme, s’ka marrë pjesë asnjë kompani dhe procesi është dashur të përsëritet disa herë. Në muajin shtator, është bërë një plan brenda ministrisë së Shëndetësisë, se për shkak të kostos së ulët të disa produkteve të mblidhen në një llot më shumë produkte në mënyrë që të bëhet më atraktive për kompanitë dhe që të kenë arsye të marrin pjesë në këto llote dhe në këtë tender”, ka sqaruar ai.

Ndërsa, ka shtuar se as ky proces s’ka pasur sukses.

“Fatkeqësisht as ajo nuk u zbatua deri në fund. Pas disa diskutimeve që kemi pasur me ekspertët farmaceutik, ka ardhur përfundimi që shuma që ka qenë e parashikuar për blerjen e këtyre barnave nuk ka qenë e mjaftueshme, sepse brenda ministrisë së Shëndetësisë para çdo tenderi janë disa mekanizma kontrollues, disa filtra në mënyrë që kompanitë të mos abuzojnë me çmime”.

Për këtë arsye, sipas ministrit më vonë është marrë vendim që shuma të rritet për furnizimin me barna.

“Këta ekspertë kanë ardhur në përfundim që shuma e alokuar nuk është e mjaftueshme për blerjen e këtyre preparateve, për arsye se kompanitë nuk marrin pjesë, ashtu siç nuk kanë marrë pjesë kjo shumë është rritur për 10%, në gjithë vlerën e kësaj shume për këto produkte dhe tani që po flasim në fillim të janarit, në fund të janarit, në mes të shkurtit, por edhe në fund të shkurtit do të ketë me dhjetra procedura për të gjitha ato barna që kanë munguar në ministri”.

Që nga paslufta në Kosovë, asnjëherë spitalet publike nuk kanë arritur ta përmbushin listën esenciale të barnave 100 për qind.

Si rrjedhojë, vazhdimisht ka pasur mungesë të tyre dhe pacientët detyrimisht janë obliguar që gjatë trajtimit t’i blejnë vetë ato.

Powered by WordPress