Shkruan: Naim Maloku
Që nga lashtësia ai që përmendet më së shumti, zotëron më shumë hapësirë në vetëdijen kolektive. Kjo dukuri nuk është thjesht një vëzhgim sociologjik- është një mekanizëm i fuqisë që ka formësuar historinë njerëzore, nga mitet e lashtësisë e deri te politika bashkëkohore.
Emri=Fuqi
Në civilizimin hebre ekzistonte koncepti i “Shem HaMeforash” – emri i shenjtë që nuk duhej shqiptuar. Pse? Sepse të emërtosh diçka do të thotë ta zotërosh atë. Edhe sot, në legjendat e ca katundeve të Ballkanit, njerëzit ngurrojnë të përmendin Djallin me emër, duke i thënë “ai tjetri” apo “largkjofti”. Kjo nuk është besëtytni – është njohje instinktive e fuqisë së përmendjes. Në psikologjinë sociale ekziston një mekanizëm që quhet ‘’availability heuristic’’ – gjëja që dëgjohet më shpesh kuptohet, pranohet si më e rëndësishme.
Zoti përmendet çdo ditë nga miliarda njerëz. Shejtani gjithashtu. Por a janë ata realë në kuptimin fizik? Kjo nuk ka rëndësi. Ata janë realë në vetëdijen tonë kolektive, dhe kjo vetëdije formon veprime, ligje, luftëra dhe paqe. Fuqia e tyre nuk vjen nga ekzistenca fizike, por nga hapësira që zënë në mendjet tona.
Prandaj:
– kur flitet vazhdimisht për Zotin – ai bëhet qendra e jetës shpirtërore.
– kur flitet për Shejtanin – ai merr rolin e kundërshtarit finalë.
– kur një figurë politike ose publike përmendet çdo ditë – ai merr statusin e aktorit kryesor, pavarësisht nëse është në pushtet apo jo.
Në kulturë, në religjion dhe në politikë vlen e njëjta logjikë: emri është energji.
Sa më shumë qarkullon, aq më shumë peshë fiton.
Ka dy forma të fuqisë:
– Fuqia formale – pushteti institucional (kryeministri, presidenti …).
– Fuqia informale – pushteti simbolik dhe ndikues (figura që dominon diskursin publik, emri që prodhon më shumë emocion).
Shpesh, fuqia e dytë është më e fortë se e para.
Shtrohet pyetja se si qëndron Kosova në këtë aspekt?
Në Kosovë, tre emra përsëriten si mantra: Hashim Thaçi, Albin Kurti dhe Dejona Mihaili. Por, nga analitika e diskursit publik, emri që ngjall më shumë reagim, diskutim, debat dhe narrativë është Hashim Thaçi. Kjo përmendje e vazhdueshme i ka dhënë një dimension gati mitik ekzistencës së tij politike.
Kjo nuk vjen vetëm nga roli i tij historik, por edhe nga arkitektura e personalitetit: një kombinim i karizmës, historisë personale, rrugës politike, mbështetjes së fortë emocionale dhe polarizimit të madh që ai prodhon.
Hashim Thaçi paraqet një fenomen të fuqisë simbolike sepse pëlqehet apo kritikohet një gjë mbetet e padiskutueshme: Thaçi është figura më e pranishme në ndërgjegjen kolektive të Kosovës.
Ai ka disa elemente që e bëjnë personazh të këtij kalibri:
1. Historia e tij lidhet me një periudhë mitike – çlirimin. Njerëzit që lidhen me momente themeluese të kombit, përjetë ruhen në memorien publike.
2. Emri i tij është i lidhur me emocion, jo thjesht me logjikë. Çdo politikan tjetër futet në debat racional. Thaçi futet në debat emocional, dhe aty lind fuqia reale.
3. Ai është figurë synimi – qendra e aspiratës dhe frikës.
Në çdo shoqëri ekziston një figurë për të cilën:
• një pjesë e njerëzve duan të arrijnë pozicionin e tij,
• një pjesë kanë frikë nga rikthimi i tij,
• një pjesë e admirojnë,
• një pjesë e urrejnë.
Por të gjitha këto grupe flasin, dhe duke folur, e ushqejnë fuqinë.
Prandaj mund të thuhet: Thaçi mbetet më i fuqishmi jo sepse është formalisht i lirë të ushtrojë pushtet, por sepse mbetet figura më e përmendur në dimensionin politik.
Albin Kurti si simbol i alternativës, fuqisë së kundërshtisë dhe mobilizimit.
Kurti është i fuqishëm për arsye tjetër: ai përfaqëson modelin e liderit që ndërton fuqinë përmes idesë, jo historisë.
Ai ka bazë të gjerë aktivistësh, mbështetje të fortë te të rinjtë, dhe narrativë ideologjike të qartë. Kurti:
– kontrollon narrativen e qeverisjes,
– dominon agjendën mediatike,
– artikulon identitet politik modern.
Por energjia e tij politike funksionon më shumë në të tashmen, ndërsa energjia e Thaçit funksionon në të shkuarën dhe të ardhmen – dy fusha ku lind miti.
Kurti në konceptin e simpatizantëve të tij përfaqëson idealin e një Kosove të re, të pastër, antikorrupsion. Ai ka ndërtuar imazhin e tij si antitezë e Thaçit. Por edhe kjo është një formë varësie – ai ekziston në imagjinatën publike përmes kontrastit. Çdo veprim i tij matet ndaj asaj që Thaçi ka bërë ose nuk ka bërë.
Pra edhe kur Kurti flet kundër së kaluarës, ai e mban atë të kaluar të gjallë. Emri i Thaçit duket në fjalime, në programe, në debate. Kështu, paradoksalisht, kritika e vazhdueshme e së kaluarës i jep asaj të kaluare jetëgjatësi.
Dejona Mihaili – hija e Asaj që frikëson apo ‘’Zonja me këllqe’’
Mihaili është figura më enigmatike – gati një imazh spektral. Ajo përmendet më pak se Thaçi dhe Kurti, por kur përmendet, është me një tension të veçantë. Ajo përfaqëson frikën nga “dora e padukshme”, nga strukturat që operojnë jashtë dritës publike. Fuqia e saj nuk vjen nga teatri politik, por nga ambiguiteti i rolit të saj.
Në mungesë të informacionit të plotë, imagjinata popullore e mbush zbrazëtinë. Mihaili bëhet mjet legjendash urbane – disa thonë se kontrollon ekonominë, disa se kontrollon një parti të tërë, disa se e kontrollon hapësirën politike në tërësi, të tjerë thonë se është thjesht një figurë e fryrë. Por edhe mosbesimi ndaj saj e mban atë të rëndësishme.
Pse përmendja krijon pushtet? Psikologjia e njeh këtë fenomen si “efekti i ekspozimit të përsëritur”. Sa më shumë të dëgjojmë një emër, aq më shumë ai bëhet i njohur, dhe gjëja e njohur perceptohet si e rëndësishme. Kjo vlen edhe kur ekspozimi është negativ.
Kur një figurë përmendet vazhdimisht – edhe në kontekstin e skandaleve, akuzave apo debateve – ajo figurë merr status ikonash. Emri i asaj figure bëhet pikë reference. Të gjithë të tjerët maten ndaj saj.
Kjo shpjegon pse diktatorët historik kanë censuruar jo vetëm mbështetësit e tyre, por edhe emrat e rivalëve. Stalini fshinte njerëzit nga fotografitë. Nuk mjaftonte t’i vriste – duhej t’i fshinte nga memoria kolektive. Sepse sa kohë që një emër përmendet, ai ruan një formë ekzistence. Komunizmi metodën më të fuqishme të eliminimit të kundërshtarëve e kishte futjen në harresë të tyre (kam shembull nga familja).
Të kontrollosh narrativën do të thotë të kontrollosh realitetin andaj nuk janë tre njerëzit më të fuqishëm ata që kanë më shumë para apo armë – janë ata që kanë më shumë hapësirë në diskursin publik. Në Kosovë, kjo do të thotë Thaçi, Kurti dhe Mihaili, me Thaçin në krye të kësaj liste për shkak të përqëndrimit konstant të vëmendjes mbi të.
Fuqia moderne nuk mbahet me shpatë, por me ngarkim narrativ. Ai që mund të detyrojë shoqërinë të flasë për të – qoftë me admirim, urrejtje apo frikë – ai mbizotëron. Dhe në këtë lojë, HESHTJA ËSHTË VDEKJA E VETME E VËRTETË POLITIKE.
Fuqia e vërtetë është:
– emri që nuk mund të injorohet,
– figura që përmendet më shumë,
– personazhi që ngjall frikë tek kundërshtarët dhe aspiratë tek mbështetësit,
– simboli që shoqërinë nuk e lë të qetë, as kur ai hesht.
Prandaj, pyetja nuk është: “Kush janë tre njerëzit më të fuqishëm?”
Pyetja e vërtetë është: “Për cilët nuk mund të ndalojmë së foluri?”
Dhe përgjigja në Kosovë është e qartë.
Për këtë arsye, debati Kosovë shpesh duket si duel midis pushtetit aktual dhe figurës simbolike.